Kërkoi lirinë, Gjykata merr vendimin për Shullazin dhe bandën e tij

    Kërkesa e Emiljano Shullazit dhe katër anëtarëve të tjerë të bandës së tij, për të ndryshuar masën e sigurisë, është refuzuar nga Gjykata e Posaëme e Apelit.

    Gjyqtarët që morën vendimin për rrëzimin e kërkesës së Shullazit ishin Albana Boksi, Artur Kalaja dhe Etleva Temo.

    Kjo kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë erdhi pas disa vendimeve për lirimin e disa të dënuarve me burgim të përjetshëm, dhe me sa duket edhe Shullazi kërkoi të njëjtën gjë.

    Ditët e fundit janë liruar nga burgu dy anëtarë të bandës së Durrësit Endrit Dokle dhe Sardian Sulejmani, si dhe Ergys Kolaverit, nga ana e Gjykatës së Apelit në Tiranë.

    Shullazi është dënuar me 12 vjet për akuzën “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Ylvi Beqaj”, 10 vjet burg për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Jani Zaka, kryer në bashkëpunim”, dhe në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, për caktimin e dënimit për disa vepra penale, i pandehuri Emiljano Shullazi dënohet me një burgim të vetëm prej 14 vitesh .