Kush është ‘Markeliani i tmerrshëm’, truri i grabitjes së çiftit Laze

Ka përfunduar në pranga një nga autorët e plagosjes së çiftit Laze në Allias, ndërsa shpallet në kërkim i dyshuari tjetër. I arrestuari është Fatjon Mërtenikaj, 28-vjeçari që ka lindur në Elbasan dhe banon në Tiranë.

Në kërkim është shpallur bashkëpunëtori në këtë ngjarje, Markelian Cungu, protagonist i një numri të madh vjedhjesh që në moshë të vogël. ‘Markeliani i tmerrshëm’ është arrestuar dhe liruar disa herë, brenda dhe jashtë vendit, që kur ishte fare i vogël. 

Të dy këta shtetas janë dënuar më herët për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhje”.

Grupi hetimor ka sekuestruar edhe dy armët e dyshuara të përdorura gjatë tetnativës për grabitje, municion luftarak, maskë dhe sende të tjera.

Policia gjeti rreth një kilometër larg banesës që tentuan të vidhnin, dy armët e zjarrit, konkretisht një kallashnikov dhe një pistoletë, që dyshohet se i kanë përdorur autorët mbrëmjen e datës 19 janar 2020.

Këta dy persona u futën në vilën e familjes Laze në Allias. Fillimisht ata u pikasën nga vajza e çiftit Laze. Kjo bëri që autorët të qëllojnë me armë duke plagosur fillimisht Petrit Lazen dhe më pas bashkëshorten e tij, Afërdita Laze, të cilët në katin e parë të vilës kishin si biznes një furrë buke.