Arrestohen dy persona në Korçë, përgjegjës për 7 vjedhje në dy muajt e fundit

    Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Korçës, pasi akuzohen për vperën penale “Vjedhje”.  Mësohet se autorët janë përgjegjës për 7 vjedhje vetëm në dy muajt e fundit.

    Njoftimi i plotë:

    Kapen dhe ndalohen dy autorët e dyshuar të tyre, të shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”.

    Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e disa vjedhjeve, të ndodhura dy muajt e fundit në qytetin e Korçës, në lagjet nr 7, 8, 9, 12 dhe 17, ku autorët iu vidhnin qytetarëve nga xhepat telefona celularë dhe në biznese sasi lekësh, bënë të mundur ndalimin e shtetasve në kërkim:

    • L. E., 44 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.
    • A. K., 19 vjeç, banues në Korçë.

    44-vjeçari, është ndaluar nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, pasi rezultonte i shpallur në kërkim për pesë vjedhje të ndodhura përgjatë muajve dhjetor, janar dhe shkurt në Korçë, ku si rezultat i punës hetimore të kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve, ky shtetas dyshohet se iu ka vjedhur pesë qytetarëve, celularët respektivë të tyre të markës “Samsung”, një prej të cilëve iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

    Ndërsa ndaj shtetasit A. K., Gjykata e Shkallës së Parë Korçë me vendimin e datës 11.02.2020, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, pasi ky shtetas është autor i dyshuar i dy vjedhjeve ngjarje të ndodhura në lagjet nr. 7 dhe 12, ku në dyqanet e dy qytetarëve 19-vjeçari, ka vjedhur një sasi lekësh dhe 10 steka cigare.

    Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.