Meta në konferencë të jashtëzakonshme: Rilindja organizatë mafioze, po bëhem hetues vullnetar i SPAK

    Presidenti i republikës, Ilir Meta ka mbajtur ditën e sotme një konferencë të jashtëzakonshme për mediat  ku është shprehur se Rilindja është një organizatë mafioze dhe po kërkon të rrëmbejë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke minuar këtë të fundit.  

    Ilir Meta tha para një monitori të vendosur në Presidencë, se një I tillë, edhe më I madh mund të vendoset edhe Bruksel për të kuptuar se si Rilindja ka vepruar për të zhdukur Gjykatën Kushtetuese.

    “Në ditët që vijnë mund të vendosim dhe një më të madh dhe shumë shpejt mund ta vendosim dhe në Bruksel, në anglisht që të kuptojnë perlën e rilindjes, se si një organizatë rrëmben në mënyrë antikushtetuese, antiligjore dhe mafioze, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese për të mos pasur më në të ardhmen Shqipëria Gjykatë Kushtetuese por polici antikushtetuese të regjimit të Lleshit”, tha presidenti.


    Më pas Kreu i Shtetit ftoi këshilltarin e tij ligjor, Bledar Dervisha për të shpjeguar hap pas hapi në bazë të provave të reja se çfarë ka ndodhur.

    Z. Bledar Dervishaj sot tregoi mënyrën se si I ka drejtuar mazhoranca institucionet për çështjen e Gjykatës Kushtetuese.

    Dervishaj ka shpjeguar në një konitor të vendosur para gazetarëve se si ka qenë sekretari i Ministrisë së Drejtësisë ai që shkresën e KED e ka dërguar për botim në Fletoren Zyrtare duke shkelur ligjin.

    Ai iu referua përgjigjes nga Qendra e Botimeve Zyrtare dhe më pas numrit të protokollit të shkresës së Ministrisë së Drejtësisë për Kuvendin dhe Kuvendit për QBZ, duke thënë se kjo është falsifikim dhe jo lajthitje. Dervishaj ka deklaruar se po bëhet gati kallëzimi shtesë për SPAK dhe se prokuroria duhet të veprojë.


    “Si morëm ne dijeni për këto shkelje të ligjit. Më 17 shkurt ne iu drejtuam QBZ për të marrë një informacion pasi para anëtarëve të Komisionit të Venecias, Dvorani ka deklaruar se nuk e ka dërguar ai aktin. I kërkuam QBZ mënyrën e administrimit të kërkesës, shoqëruar me praktikën e plotë. Pas konferencës së djeshme QBZ është përgjigjur duke komunikuar se vendimi shoqëruar me praktikën është dërguar për t’u botuar nga Ministria e Drejtësisë, nga ana e institucionit tonë nuk ka pasur komunikim me KED.

    Ministria e Drejtësisë e ka përcjellë për botim aktin pa marrë ende njoftim nga Kuvendit dhe letra e Kuvendit ka ardhur vetëm në mbështetje të Ministrisë së Drejtësisë. Kemi të bëjmë me lajthitje? Jo më keq se kaq, falsifikim. Presidenti po përgatit kallëzimin shtesë për SPAK. Është prokuroria që duhet të ketë fjalën dhe duhet të marrë në pyetje personat e përfshirë në këtë çështje”, deklaroi Dervishaj.

    Meta e mori sërish fjalën pas tij duke u vetëofruar të bëhet hetues i SPAK.

    “Si president i Republikës po bëhem hetues vullnetar i SPAK, pa pagesë, pa shpërblim. Z. Dervishaj ka qenë në çdo mbledhje të KED nga e para tek e fundit. Betohu që po thua të vërtetën”, u shpreh Meta.