“Secili prej nesh mund të jetë kandidat për në karantinë”, mjeku tregon 3 masat urgjente që duhet të merren në Shqipëri

Nga Dr. Edvin Prifti, shef i Kardiokirurgjisë

Vdekjet e para të shënuara në Itali nga infeksioni i koronavirusit na bëjnë të ndjehemi akoma edhe më afër ndaj ngjarjeve të cilat mund të jenë shkatërrimtare për njerëzit dhe popullin tonë. Masat drakoniane që janë marrë në vendin e origjinës të këtij infeksioni viral dhe që po shoqërohen me masa akoma edhe më të ashpra në vendet pranë duhet të na bëjnë të mendojmë akoma edhe më seriozisht se si duhet të përgjigjemi në këto kushte. Mendoj që gjithmonë ka momente relaksi dhe llafesh, proklamatash, por kur ndodhemi përballë fataliteteve të mundshme, duhet një seriozitet i jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm i çdo strukture.
E para diagnostikimi në kohë rekord:
Dje po interesohesha dhe mu tha nga një prej specialistëve tanë më të mirë të sëmundjeve infektive që real time PCR është kërkuar nga laboratori i mikrobiologjisë në QSUT dhe nuk është realizuar pasi PPP nuk e parashikon. Atëherë unë them që zotërinj- këtu ndodhemi përballë një çështje të sigurisë kombëtare. Unë nuk e di se çmund të konsiderohet tjetër gjë brenda nocionit të sigurisë kombëtare. Dhe në këto kushte dikush mund të ketë paturpësinë të kthejë një përgjigje të tillë. Nga ana tjetër, ne si universitet na duket një gjë normale kjo?! Nëse kjo PPP reagon në këtë mënyrë, atëherë pa dyshim që duhet rishikuar pasi është totalisht e padrejtë dhe aspak shkencore, bllokon hulumtimin që në pikënisje dhe rrezikon dhe cenon jetën. Kur i mohohet të vetmes qendër universitare hulumtimi dhe diagnostikimi?! Atëherë kush do ta bëjë? Dikushi me tha se mund të diagnostikohet në institutin e shëndetit publik. Kjo është gjë shumë e mirë, Po si mund te mohohet diagnostikimi ne QSUT.
E dyta: karantina
Asgjë nga fronti i lindjes. Nuk dimë se si, ku, në ç’kushte. Mos na duket çudi, pasi mund të jetë secili prej nesh kandidat për në karantinë dhe mendoj që njerëzit duhet të jenë në dijeni të gjithçkaje.
E treta: trajtimi
Këta të sëmurë në fund të tyre kanë nevojë për ventilim mekanik të drejtuar ose oksigjenim artificial. Për sa i përket ventilimit mekanik, në Shqipëri ne kemi vetëm 140 ventilatorë mekanikë, këtu përfshirë edhe strukturat private që do të thotë, që sikur t’jua mohojmë ventilimin mekanik gjithë të sëmurëve të tjerë, atëherë vendi ynë mund të trajtojë vetëm 140 të sëmurë njëkohësisht. Oksigjenimi artificial që ka të bëjë me një aparat tjetër që quhet Extracorporeal membrane oxygenator ose ECMO të cilin kemi vite që e kërkojmë me ngulm në kardiokirurgji por sidomos pas epidemisë së H1N1 si e vetmja alternativë për të mbajtur në jetë këta të sëmure, nuk ka asnjë aparat të tillë në Shqipëri.
Afërsia me Lombardinë, shkëmbimet në njerëz dhe mallra me Italinë na shtyn që duhet menduar seriozisht për përballjen me koronavirusin. Nuk mund të sillemi sikur është një gjë larg nesh. Çdo njeri prej nesh, politikanë, biznesmenë, ambasadorë, ministra dhe deputete, por veçanërisht personeli shëndetësor
Mund të jenë të infektuarit e radhës. Nga 29 të infektuar në Itali, 5 janë personel shëndetësor. Domine Quo Vadis?!

Marrë nga Shendeti.com.al