“Në Shqipëri ka 12 të infektuar me koronavirus”. Flet vajza e mesazhit audio në Whatsapp: Ju lutem fshijeni…jam thirrur në polici

    Një mesazh audio ku thuhej se në Shqipëri janë 12 persona me koronavirus, qarkulloi ditën e sotme dhe përhapi panik. Mesazhi qarkulloi në whatsapp dhe më pas u bë viral në rrjetet sociale.

    Pasi mesazhi u përhap shumë, ka reaguar edhe vetë vajza në fjalë, duke kërkuar që audio e saj për koronavirusin të fshihet. Ajo ka thënë se e kanë thirruar të dëshmojë në polici për përhapje të “lajmeve fake”.

     “Është bërë problem i madh”, dëgjohet të thotë në audion e dytë vajza në fjalë, ndërsa kërkon që audio të fshihet.

    “Goca kjo audio është e imja. E kam nisur te grupi i punës para pak orësh dhe ju lutem, ju lutem, ju lutem fshijeni. Të gjithë njerëzve që ua keni dërguar thuajini fshijeni se unë nesër kam për të shkuar në polici dhe kam për të dhënë deklaratë gjasme për lajme fake.  Të lutem kushdo që e merr këtë audio, ti thonë që ta fshini dhe mos ta shpërndajë më se është bërë problem shumë i madh. Ju lutem, ju lutem, ju lutem fshijeni”, thotë vajza.

    Ndërsa në audion e parë vajza dëgjohet të thotë:

     “Goca, se po më shkruante motra tani. Vjehrra e motrës time është mjeke në spital dhe na mori në telefon dhe na ka thënë që janë konfirmuar shumë raste me koronavirus në Shqipëri, kështu që evitoni kafet e mbyllura ku ka shumë njerëz, autobusat, përdorni higjienizues, mos i takoni njerëzit, thojuni “mirëmëngjes” “mirëdita”, por mos u jepni duart që të keni kontakt me frymëmarrjen. Pini lëng portokalli se forcon imunitetin se kush ka imunitetin e dobët më i rreziku dhe çështja është se do përhapet në masë, se nuk kemi as kushtet e duhura për t’i mbajtur në karantitë të infektuarit tha ajo. Nuk është për të përhapur panik, por bëni kujdes me këto gjërat kështu. Mbani gjithmonë higjienizues me vete, lani duart sa më shpesh, nëse hipni në autobusa shpesh merrni maska se nuk i dihet. Nuk është bërë akoma publike se nuk e lejon shteti domethënë mbi 12 raste vetëm javën e fundit”