Dy gra u vranë sot, mos i harroni emrat e tyre!

Vetëm në 24 orët e fundit dy gra janë vrarë në Shqipëri. Një nënë do të mungojë në shtëpi, një motër nuk do të jetë më, një bijë ka mbyllur sytë përgjithmonë, një grua do të mungojë në shoqëri. Dy gra u vranë në një ditë në Shqipëri… dhe jeta vazhdon. Nesër do të vritet një tjetër, dy të tjera, dhjetë, 97… ç’rëndësi ka ne jemi vetëm numra.

Dy gra u vranë sot në Shqipëri, sepse gruaja është thjesht send që zbukuron shtëpinë e burrit, gruaja duhet të rri në shtëpi, të gatuaj, t’i hekuros rrobat, t’i laj këmbët, t’i puth duart burrit. Sepse burri është pronari i gruas. Gruaja është një send, një kafshë pune.

Dy gra u vranë sot, sepse dy vajza nuk i kthyen kurrë fjalën babës në shtëpi, dy vajza ulën gjithmonë sytë nga shoqëria, dy vajza nuk u revoltuan kurrë dhe nëse e bënë, rebelimi i tyre u shtyp.

Dy gra u vranë sot sepse dy burra u zgjuan me humor të keq, dy burra nuk e gjetën gati drekën, nuk gjetën të hekurosur këmishën. Dy burra donin të zbraznin diku dufin dhe sendi i preferuar ishin gratë e tyre.

Por burri ka të drejtë, ka gjithmonë të drejtë. Si guxove ti t’i ktheje fjalën burrit? Ç’të duhet që flet? Nuk të vjen turp që u ktheve vonë në shtëpi? Si guxon të dalësh nga shtëpia xhanëm? A nuk të erdhi turp që veshe fundin e shkurtër? Po buzët pse i ke lyer si kurvë? Të kuqe. E pse nuk i ke larë enët? Të pastroje shtëpinë. Çfarë bëre gjithë ditën? Ku ishe? Kurvë! E tradhëtove?! E ke hak vrasjen! Plumbin ballit deshe!

Sepse burri ka gjithmonë të drejtë! Ai ka një penis mes këmbëve, kurse ti duhet të nënshtroshesh, të ulësh kokën.

Dy gra u vranë sot dhe faji asnjëherë nuk do mbetet mbi burrat. Ato do jenë gjithmonë fajtore. Se ç’janë gratë në fund të fundit?! Sende për të zbukuruar shtëpinë. Hamall që punojnë tokën, shërbëtore që pastrojnë shtëpinë. Dhe nëse bëjnë gabime i pret shkopi i gomës ose tyta e armës. Se gratë duhet të jenë perfekte, nuk duhet të flasin shumë, nuk duhet t’i ngrenë nervat burrit ( vetëm burrat kanë nerva se), ndryshe ai ka të drejtë ta qëllojë, t’i thyejë brinjët, dhëmbët, t’i nxijë sytë.

Dy gra u vranë sot dhe ne vazhdojmë jetën sikur asgjë nuk ka ndodhur. Ecim në rrugë, shohim sytë e njëra-tjetrës dhe mendojmë me vete: “Mbylle gojën shoqe, ç’të duhet që flet shumë”.

Po, dy gra u vranë sot! Po tani çfarë?! Shkoni i arrestoni burrat(më vjen ndot t’i quaj burra në fakt) që i vranë. Dënojini me burgim të përjetshëm, i varni po të doni, edhe pse shumë nuk do jenë dakord me këtë, as unë vetë madje. Po tani çfarë? Asnjëherë nuk do t’ia ktheni dot nënën tre fëmijëve që nuk do ta bëjnë gjumin e qetë gjithë jetën, asnjëherë nuk do t’ia ktheni dot nënën vajzës që ulëriste me kujë në mes të Durrësit. Por nesër do kemi harruar të gjithë dhe për statistikë do të themi: “Tetë gra janë vrarë në dy muajt e parë të këtij viti”. Dhe pastaj do t’i harrojmë deri sa të vritet një grua tjetër. Gratë që vriten çdo ditë në këtë vend janë thjesht statistika të krimit në familje, të vrasjeve nga xhelozia. Por e vërteta është se nuk ka vrasje nga xhelozia… e vrau kur ishte i dehur, e vrau se ishte në depresion, e vrau se e tradhëtoi… justifikime boshe që vetëm sa e bëjnë autroin të lajë duart se nuk është ai shkaktari.

Esmeralda Filopati dhe Hajdie Tosuni. Mos i harroni këto emra. Dy gra i vrau shoqëria, varfëria, injoranca, frika dhe nënshtrimi. Nesër do vriten dy gra të tjera. Do jetë motra juaj, nëna, vajza, shoqja apo një e panjohur në lagje të cilës paga që merr në fasoneri nuk i del për të shpëtuar nga dhuna dhe për të krijuar një jetë të sajën.

Dy gra u vranë dhe nuk ia vlen më të jetojmë me frikën.

E dashur shoqe, e dashur nënë, e dashur motër, e dashur grua që tani po pastron shtëpinë me frikën se burri do të të rrah për vdekje sonte… E dashur grua rebelohu! Mësoji vajzës tënde të rebelohet, t’i kthejë fjalën babës, të eci kryelartë, të vishet si të dëshiroj, të kthehet në shtëpi kur të dëshirojë. Dhe i mësoni djemve tuaj se gruaja nuk është pronë, nuk është send. Nëse janë të hidhëruar se janë të varfër, të papunë e të nëpërkëmbur, nuk është faji i gruas së tyre. E nëse ndonjëherë nuk i kontrollojë dot nervat, nëse kthehn të dehur në mes të natës, nëse i humbasin të gjitha lekët në kumar a dreqi e di çfarë, i mësoni që gruaja, motra, nëna nuk janë thes boksi që grushtohen për t’u ndjerë më mirë.

I dashur burrë! Mos e trego revoltën ndaj gruas tënde, as mos e demonstro forcën para saj. Nuk je i fortë nëse shtyp më të dobëtin, kjo nuk të bën as burrë, as më të mirë.

Dy gra u vranë. Kaq, asgjë më shumë. Nuk mjafton kjo për të vënë kujën?! Nesër do të vriten dy gra të tjera dhe ne do të raportojmë: Burri vret gruan shkak xhelozia… Burri vret gruan, ishte i papunë… Burri vret gruan, ishte i dehur. Nuk ia vlen të vendosësh justifikim në titull, thjesht shkruaj: Burri vret gruan dhe nuk justifikohet!

Gazeta Ora