Ka gjunjëzuar superfuqi si Kina apo Japonia/ Manastirliu për koronavirusin: Kemi kapacitetet ta përballojmë

    Shqipëria është e rrethuar nga koronavirusi teksa vendet fqinje si Italia, Greqia dhe Maqedonia e Veriut janë prekur nga epidemia vdekjeprurëse.

    Por sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Shqipëria I ka kapacitetet për të përballuar virusin e ri, edhe pse në vështirësi janë gjendur edhe vende të zhvilluara si Italia apo Japonia.

    Ja çfarë thotë ministrja:

    “Në skenarët që ekspertët tanë kanë parashikuar, që me konfirmimin e rastit të parë, ne vëmë në dispozicion strukturat që fillojnë me spitalin Infektiv në QSUT, me një kapacitet 80 shtretërish dhe me një forcë të punonjësve të shëndetësisë, 109 punonjës, të cilët do të jenë të fokusuar për të trajtuar sipas protokolleve më të mira rastet e mundshme. Kemi përcaktuar bokset, dhomat e izolimit, është investuar në të gjitha linjat e oksigjenit në strukturën e Infektivit, për të bërë të mundur transformimin e këtij spitali, nëse do të kalonim në skenaret e tjerë, që do të ishin nga 0 në 100 si dhe 100 deri në 150 raste të prekura. Sigurisht, duke siguruar këtu të gjitha kapacitet dhe nevoja për ato raste të rënda, pasi dihet që 5% e rasteve që konfirmohen me koronavirus janë raste të cilat do të kenë nevojë për suport respirator”.

    Ndërkohë në Shqipëri janë testuar 17 raste për koronavirus, të cilat kanë rezultuar negative, ndërsa hyrjet në vend nga zona të prekura si Kina apo Italia, kanë qenë të shumta.