STUDIUESI/ A do ta ndalojë ngrohja e motit koronavirusin?

Nga Jeremy Rossman, profesor i virologjisë në Universitetin e Kentit

Teksa numri i vdekjeve nga koronavirusi po shtohet, disa kanë sugjeruar se mbërritja e motit të nxehtë të pranverës në hemisferën veriore do të ngadalësojë ose do e ndalojë përhapjen e sëmundjes. Presidenti amerikan, Donald Trump i bëri jehonë kësaj, duke thënë: “I nxehti i vret këta viruse”. Por a ka të drejtë?

Ideja se mbërritja e pranverës mund të ndalojë përhapjen e sëmundjes buron kryesisht nga krahasimi me gripin. Në shumë mënyra, Covid-19 është si gripi- të dyja përhapen në mënyra të ngjashme (sekrecionet respiratore dhe sipërfaqet e kontaminuara) dhe të dyja shkaktojnë kryesisht sëmundje të buta respiratore që mund të zhvillohen në pneumoni që kërcënon jetën. Por transmetueshmëria dhe rreziku që sjell Covid-19 është shumë më i madh se gripi. Dhe nuk është e qartë nëse transmetimi i Covid-19 do të ndikohet nga ndryshimi i temperaturave sezonale.

Për gripin, fillimi i pranverës bën që të ketë një rënie të ndjeshme të numrit të rasteve që vazhdon deri në kthimin e temperaturave më të ftohta në vjeshtë.

Sezonaliteti i gripit mendohet se shkaktohet për shkak të ndjeshmërisë së virusit ndaj klimave të ndryshme dhe për shkak të ndryshimeve sezonale në sistemin imunitar njerëzor dhe modelit të sjelljes sonë.

Fillimisht, virusi i gripit duket se mbijeton më mirë në mot të ftohtë dhe të thatë, me rreze të reduktuara ultravjollcë. Së dyti, për shumicën tonë, ditët e shkurtra të dimrit sjellin nivele të reduktuara me vitaminë D dhe melatonin, që ndikojnë te performanca e sistemit imunitar. E treta, në dimër ne kalojmë më shumë kohë me njerëzit e tjerë, brenda dhe afër tyre, duke shtuar mundësinë që virusi të shpërndahet.

Krahasimet me shpërthimet e tjera të koronavirusit

Si do të ndikonin këto faktorë në transmetimin e koronavirusit? Nuk është e qartë se çfarë efekti kanë temperatura dhe lagështia për vetë koronavirusin, as në transmetimin e tij. Disa koronaviruse të tjera janë sezonale, duke shkaktuar ftohjen e zakonshme në muajt e dimrit.

Epidemia e SARS në vitin 2002-2003 filloi gjithashtu në dimër në hemisferën veriore dhe përfundoi në korrik 2003 më një ringjallje të vogël në dimrin vijues. Por rastet e SARS arritën kulmin në muajin e ngrohtë të majit, dhe fundi i epidemisë në korrik thjesht mund të ketë pasqyruar kohën e kërkuar për kontrollin e virusit, sesa thjesht një efekt të motit të verës në transmetimin e virusit. Gjithashtu koronavirusi MERS, transmetohej kryesisht në vendet e nxehta.

Duke u rikthyer te krahasimi me gripin, pandemia e virusit të gripit në vitin 2009-2010 nisi në pranverë, u forcua gjatë pranverës dhe verës dhe arriti kulmin në dimrin që pasoi. Kjo sugjeron që në një pandemi, numri i lartë i rasteve në shumë vende të botës mund të mundësojë transmetimin e vazhdueshëm të virusit gjatë gjithë verës, duke kapërcyer çdo ndryshueshmëri sezonale që do të shihej në epidemi më të vogla.

Pra, moti i ngrohtë që po afrohet mund të zvogëlojë transmetimin viral në hemisferën veriore (ndërsa potencialisht mund të rrisë transmetimin në dimrin e hemisferës jugore), por nuk është e mundur që vetëm moti t’i japë fund kësaj epidemie në rritje.

*TheConversation