Tragjedia e Gërdecit si pasojë “virusit” të ngjizur nga korrupsioni

Nga RESUL RESULAJ

Shqipëria dhe mbarë bota këto ditë është mbërthyer nga ankthi ndaj COVID-19, ky armik i padukshëm që është përhapur anë e kënd globit dhe ka marrë mijëra jetë njerëzish. Koronavirusi e ka eklipsuar këtë ngjarje, por këto ditë përkojnë me kujtimin e një prej tragjedive më të mëdha të tranzicionit shqiptar të pas viteve 90’, ngjarje e krijuar nga “virusi pandemik” i korrupsionit. 

15 marsi i vitit 2008 ishte një ditë tepër e bukur. Dielli i harlisur ngrohte qytetin e Vorës në të Shtunën e asaj pranvere. Qielli ishte i gjithi i kaltër, cicërimat e zogjve dëgjoheshin kudo dhe blerimi kishte pushtuar të gjithë kodrat përreth. Nuk mund të gjeje në mesditën e asaj dite asgjë tjetër përveç harmonisë perfekte mes kaltërsisë qiellore dhe gjelbërimit tokësor.

Në orën 12:05 gjithçka do të ndryshonte. Qielli shumë shpejt do të nxihej, jo prej reve që paralajmëronin shiun, por prej tonelatave të barutit, mijëra predhave dhe raketave.

Asokohe isha në vitin e dytë të Shkollës së Mesme dhe banoja në lagjen Muçaj të Vorës, në vijë ajrore jo më larg se 3 km nga fabrika e Demontimit të Armëve në Gërdec. Nga korda ku jetoja kishte një fushëpamje shumë të qartë të gjithçka ndodhi në atë ditë.

Presupozohej që për punëtorët e asaj fabrike atë ditë të ishte një ditë pushimi, po makutëria njerëzore dhe babëzia e drejtuesve të kësaj fabrike për të fituar para nga puna e këtyre njerëzve të varfër i kishte detyruar ata të punonin atë ditë, gjë që për disa prej tyre do të ishte gjëja e fundit që do të bënin.

Zhurmat e predhave bënë që të gjithë të kthenin sytë drejt asaj fabrikë të mallkuar. Shpërthimet e para shkaktuan shok dhe tronditje për të gjithë banorët e Vorës, diçka po ndodhe dhe sigurisht që ajo nuk mund të ishte një gjë e mirë. Vala e parë goditëse theu dhe shkatërroj gjithçka që mund të gjente deri në dhjetra kilometra larg kraterit të shpërthimit.

Ky shpërthim do të pasohej edhe nga dy të tjerë të po atyre përmasave. Paniku dhe kaosi pllakosi të gjithë Vorën dhe rrethinat, çdokush mundej të shpëtonte sa më parë veten dhe të afërmit e tij. Unë së bashku më nënën dhe motrën, u munduam të largoheshim sa më shumë të ishte e mundur nga ai ferr, pakthyer kokën pas për asnjë çast.

Ngjarjet perciptuan shumë shpejt për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Duhej kohë për të kuptuar se ajo çka ndodhi në të vërtetë atë ditë të Shtune është një prej ngjarjeve më tragjike të tranzicionit shqiptar. Disa gjëra mund të kenë ndryshuar për banorët e Vorës prej asaj kohe, por e vetmja gjë që nuk mund të shërohet është një shpirt i plagosur.

Fytyra e vërtetë e padrejtësisë në Shqipëri është mishëruar qartësisht në rastin e tragjedisë së Gërdecit. Është pikërisht kjo drejtësi e kapur e cila ka vrarë shpresën e shqiptarëve për 30 vjet. Kjo çështje e zvarritur prej kaq vitesh nëpër dyert e gjykatave, e ka bërë tragjedinë e Gërdecit simbolin e padrejtësisë. 12 vite më pas ende shumë pyetje ngelen pa përgjigje. Përse shkaktarët e vërtetë të këtij krimi me përmasa katastrofale ende sot e kësaj dite nuk janë vënë para drejtësisë? Përse faktet rrënqethëse të zbuluar nga mediat ndërkombëtare pas tragjedisë së Gërdecit nuk janë hetuar kurrë? Cili ka qënë roli i ish-Kryeministrit Berisha, ish-Ministrit të Mbrojtjes Mediu dhe personave të tjerë të impikuar në këtë skandal kriminal dhe korruptiv? A ka qenë djali i ish-Kryeministrit  Berisha negociator në marrëveshjen për demontimin e armëve?

Argumentimi i rastit të tragjedisë së Gërdecit nga ana e Gjykatës, tregon se qëllimi i vërtetë nuk ishte zbardhja e së vërtetës, por hedhja e hirit syve me vendimet qesharake që u zbardhën më vonë. Aktualisht në ditët e sotme asnjë prej të akuzuarve për ngjarjen e Gërdecit nuk është prapa hekurave, të gjithë ose janë liruar, ose çështja është pushuar, ose akoma me keq akoma më keq të akuzuarit kryesor nuk janë gjykuar fare. Ndërkohë që familjarët e viktimave ende vuajnë mungesën e të afërmve të tyre pas kaq vitesh, pa mundur të gjejnë të vërtetën.

Brutaliteti i këtij rasti dhe hija e skandaleve korruptive që përfshinë qeverinë “Berisha”, kanë përçuar jehonë edhe jashtë kufijëve të Shqipërisë. Për më tepër ndërkombëtarizmi i kësaj çështje ka prekur edhe Hollywood-in, trafiku i armëve i bërë në Gërdec dhe aktorët qeveritarë të përfshirë si ish-Ministri i Mbrojtjes, djali i ish-Kryeministrit janë subjekt i një filmi që titullohet “War Dogs”. Apo dokumentari që ka bërë Al Jazeera që fakton përfshirjen e djalit të ish-Kryeministrit në këtë skandal.

Gjatë gjithë qeverisjes së tij kryeministri Berisha, mohoi në mënyrë kategorike përfshirjen e tij dhe të djalit të tij në procesin e demontimit të armëve, pavarsisht se faktet e treguara periodikisht në media tregojnë të kundërtën. Për shembull, së çfarë po bisedonte në telefon djali i ish-Kryeministrit me Ministrin e Mbrojtjes dhe Drejtorin e Fabrikës së Demontimit pak çaste pas shpërthimit dhe korenspodencat e vazhdueshme të tyre. Ky fakt ashtu si edhe shumë të tjera janë zbuluar nga tabulatet telefonike ku rezulton se djali i ish-Kryeministrit komunikonte me këta persona minimumi tre herë në ditë dhe çështjet e bisedës nuk është e vështirë të kuptohen se cilat ishin.

Po ashtu rrënqethës është fakti se një prej autorëve kryesor të këtij krimi shtetëror, Fatmir Mediu ende sot fsheh pas syzeve të errta që mban gjatë gjithë kohës, peshën e krimit që ka bërë. Akoma më rrënqethës është fakti që ky njëri është përfaqësues politik në vend. Mediu flet në Parlament, në studio televizive dhe kudo tjetër që i jepet mundësia për demokracinë dhe për të ardhmen e vendit. Si është e mundur që në këtë fabrike me dijeninë e tij demontoheshin armë jashtë çdo standarti, shfrytëzoheshin fëmijët e moshës 10-12 vjeç (fakt i vërtetuar nga pamjet filmike) dhe më tragjik është fakti që këto armë me orgjinë kineze trafikoheshin për t’u përdorur nga ushtria amerikane.

Në këtë dekadë të kësaj ngjarje tragjike lutjet dhe lotët janë për ata fëmijë, gra dhe burra që humbën jetë tragjikisht në atë ditë pranvere. Thonë se shpresa nuk vdes e fundit edhe pse për këtë ngjarje shumë pak shpresë ka mbetur për të zbardhur të vërtetën dhe çështë më e rëndësishmja të vendoset drejtësi.