Në shtet rrethim nga COVID19, por droga dhe armët qarkullojnë ende…

Policia e Durrësit ka bërë të mundur finalizimin me sukses të operacionit “Bashkëpunimi”, ku janë  goditur dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Në kuadër të operacionit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës vunë në pranga shtetasin K. L., banues në Durrës, të cilit gjatë kontrollit iu gjetën dhe iu sekuestruan një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak.

Operacioni ka vijuar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, ku falë bashkëpunimit me qytetarët dhe ndjekjes me metoda speciale të hetimit, në kuadër të procedimit penal të vitit 2020, u godit një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla.

Si rezultat u vunë në pranga shtetasit D. Rr., 24 vjeç dhe S. P., 23 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 13 Plazh, Durrës, si dhe u proceduan penalisht shtetasit XH. B., 24 vjeç, S. N., 30 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje, dhe V. M., 35 vjeçe.

Në zonën e Plazhit të qytetit Durrës, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, gjatë kontrollit në automjetin e shtetasit XH. B., gjetën dhe sekuestruan dy grirëse të lëndës narkotike që shërbejnë për përgatitjen e saj në doza dhe një palë targa, si dhe gjatë kontrollit fizik të shtetasit S. P., gjetën dhe sekuestruan 18.5 gramë lëndë narkotike kanabis e ndarë në doza dhe një sasi parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.