Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, gafat publike dhe situata emergjente në të cilën ndodhet vendi

Nga Marjon Gorica

Dikush mund të thotë se kjo nuk është koha e përshtatshme për tu marrë me shkrime të tilla, përballë situatës së vështirë që po kalon vendi dhe bota.

Unë mendoj se jo. Besoj se është pikërisht momenti i duhur për të ndarë qasje të ndryshme ndaj një fenomeni, pasi janë disa gjëra që njeriu i ka në dorë në përditshmëri, e aq më tepër përgjegjësia rritet në një situatë emergjence, ku para përgatitja kërkohet në mënyrë absolute.

Indicia ime, ashtu si dhe e çdo shqiptari i referohet disa elementëve bazikë për sigurinë e jetës së gjithë secilit prej nesh.

I referohem sot një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, por që fatkeqësisht është më i keq përdoruri nga viti 2012 deri më sot, madje madje vjen në degradim dita ditës. Një prej autoriteteve të pavarura të Republikës së Shqipërisë, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Duke e konsideruar median si një armë në krah të qytetarit, dhe duke besuar se cdo njeri që punon në media ka mundësinë të ngrejë zërin për një padrejtësi, i kam dhënë fokus prej shumë vitesh punë sigurisë ushqimore. Asaj sigurie që nuk njeh fëmijë, të rinj, të moshuar… shpërdorimi i së cilës vret cdo ditë pak e nga pak. Unë do të përdorja një shprehje, të cilën e kam sinonim të përhershëm në punën time. ‘Fëmijët janë pasqyrë e prindërve’.

Prej ditësh Shqipëria po mban frymën përballë një armiku të padukshëm. Shkollat u pezulluan, punërat po. E vetmja gjë që nuk mundi të pezullohej, ishte ushqimi. Por cfarë ka ndodhur me të vetmin institucion që ka akses për të garantuar sigurinë ushqimore?

NË KËTO PAK DITË, AKU KA REAGUAR VETËM PASI MEDIA KA FOLUR!

Deri në momentin e konstatimit të parë të rastit 0 me COVID 19, AKU nuk mori asnjë masë për të informuar publikun, deri sa pati reagim nga mediat online, madje dhe atëherë kur reaguan bën gafa…

Praktikisht sot para nesh shfaqet një insitucion që është në vijën e parë me bizneset dhe qytetarët, pavarësisht se mund të jetë pjesë e një taskforce. Foto e mëposhtme na sjell para sysh faktin që në vijën e parë të kontaktit me farmacitë na vihet një, veteriner, teknolog ushqimor, kimist apo agronom.

Pyetja e parë është që si mundet një person i profesionalizuar në kontrollin ushqimor të kalkulojë rritjen e cmimit të një produkti bazuar në trajektoren kërkesë ofertë dhe pyetja e dytë është, cfarë kërkon një specialist i AKU në një farmaci?!

E megjithatë, më tepër se sa kontrolleve, duket se AKU i kushton rëndësinë më të madhe promovimit të daljeve publike të inspektorëve nëpër biznese. Pavarësisht masave të marra lidhur me përdorimin e mjeteve të higjienës personale si maska dhe doreza, ose mos grumbullimit të shumë personave në një ambjent të vogël, stafi i AKU nuk ka ngurruar të marrë me vete edhe kameramanin apo fotografin në “dyqanet” ku ka inspektuar, të cilët as nuk i ka pajisuar me masa mbrojtëse. Sigurisht që pasqyrimi i këtji momenti pikant nuk i pëlqeu as ministrit Çuçi, i cili çuditërisht fshiu komentin ku gazetari ja vinte në dukje, edhe pse në fakt ligjërisht Ministria e Bujqësisë nuk mund të ketë kurrsesi lidhje me një Autoritet të Pavarur…

Por kë prek kjo i nderuar inspektor, kryeinspektor, zoti ministër?!

Kjo na prek të gjithëve ne, ne të cilat paguajmë taksa që ju të merrni pagat e t’i shërbeni me përkushtim këtij vendi. Eh si mund të ndodhi ndryshe? Ka zëra që thonë se punohet, por si?

Në këmbët e këtij zotërisë këtu që ka shkuar për inspektim ka letra të hedhura në tokë, në një ambient ku prodhohet buka, lënda e parë e tavolinës së cdo familjeje. Në foton tjetër vihet re një bukë e hedhur në tokë. Ndoshta na duhet tju rikujtojmë se praktikisht jeni atje për të INSPEKTUAR sigurinë ushqimore!!

Absolutisht dua të theksoj se pasqyrimi i këtij fenomeni nuk është aspak personal. Është realiteti i frikshëm i kohës të cilën po jetojmë.

Le të themi se është vetëm kaq, pa menduar më pas se çfarë ndodh në fabrikat e miellit, vendi i parë ku AKU duhet të shkonte, pas tregtarëve të produkteve e nën produkteve të mishit… Por kur inspektorët nuk marrin masa për veten dhe qytetarët që kanë në kontakt të parë, ç’mund të mendosh më tej?

Pa diskutim si kjo foto e cila na shfaqet ditën e djeshme në faqen e AKU ku inspektori përveç se nuk respekton masat e duhura, mund të vendosë në rrezik dhe jetën e një zonje të vjetër që ndodhet në këtë market, ose e kundërta, mund të rrezikojë jetën e tij.

E pra është minimalja që këto masa duhet t’ja plotësoj institucioni në të cilin punojnë.

Jemi në një situatë EMERGJENCE…

Në kaq pak ditë, ka kaq shumë shkelje të konstatuara lehtësisht në faqen publike të një institucioni me rëndësi jetike për shoqërinë!

Kjo nuk është “gafa” e fundit, por për të mos lodhur më tej lexuesit po e lemë me kaq… Pasi me zë e figurë do flasim në një tjetër shkrim, për gjurmueshmërinë e produkteve që vetë inspektorët e AKU shesin tek subjektet, me kushtin e daljes ‘garantor’ në rastin e inspektimit.

Pra, sot kemi punonjës të këtij insitucioni të cilët në konflikt të pastër interesi, ‘detyrojnë’ me ‘kënaqësi’ bizneset që të përdorin produktet e tyre.

Por pa shkuar tek ajo, le të shohim e një tjetër rast ku mes një pandemie globale, kur një virus përhapet në kohë rekord, një tjetër inspektor prek produktet e një biznesi, të cilat në mënyrë absolute nuk duhen prekur, as me doreza të cilat mund të kenë pasur çfarë do lloj kontakti tjetër!

Shpresojmë që zëri ynë të dëgjohet sado pak nga instancat përkatëse, dhe të merren masa për mirëfunksionimin e këtij institucioni. Në një kohë ku qeveria me këmbëngulje dhe dorë të hekurt i thërret ndërgjegjes së një populli të tërë, le t’i bëjmë një thirrje edhe institucioneve që u paguajmë taksa për shërbimet që na japin, JU LUTEM, bëhuni të përgjegjshëm!!

GAZETA ORA