Asnjë rast i ri me koronavirus në Kosovë gjatë 24 orëve, ja “receta” me dy ilaçe që po përdoret për të infektuarit

Në Kosovë nuk ka pasur asnjë rast me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit. Lajmin e ka njoftuar ministri I Shëndetësisë , Arben Vitia në një deklaratë për media. Vitia bëri gjithashtu të ditur recetën e dy ilaçeve që po përdoren për trajtimin e të sëmurëve me COVID-19 në Kosovë.  Ai tha se barnat Remdesivir dhe Piravir, po përdoren për trajtimin e të infektuarve, të cilët po marrin ndihmën e parë shëndetësore.

DEKLARATA E MINISTRIT:

“Deri më tani, në IKSHPK, janë testuar mbi 320 mostra të dyshuara me COVID-19, dhe 20 prej tyre janë konfirmuar. Në stokun e mikrobiologjisë molekulare janë edhe rreth 1,000 teste dhe pardje janë porositur edhe 7,000 tjera që vijnë në fillim të javës që vjen. Por ndërkohë është përgatitur kërkesa për porositjen edhe të testeve shtesë.

Kemi siguruar edhe një aparat tjetër për realizimin e testeve në kohë reale, që vjen nesër. Informatat nga QKUK-ja janë se gjendja e të prekurve që po trajtohen aty, që janë 13, është stabile, me përjashtim të pacientit më të moshuar që po trajtohet herë pas here me oksigjen.

Dje dhe sot kemi marrë informatat e para se Remdesivir dhe Piravir janë treguar të suksesshëm në trajtimin e të infektuarve. Sot janë kontaktuar kompanitë prodhuese dhe ambasadat, dhe po shpresojmë që një kontingjent të këtyre barnave ta pranojmë sa më shpejtë.

COVID-19 është përhapur në të gjithë botën. Numri i viktimave rritet nga dita në ditë dhe deri më tani në rang global kanë humbur jetën 8,970 dhe të prekur aktualisht janë 198,730 të tjerë. Ndërsa 85,749 persona kanë fituar betejën me koronavirusin.

Në Kinë ka shkuar në 3,245 numri i viktimave. Po kështu, një nga vendet më prekura është edhe Italia, pasi aty kanë humbur jetën 2.978 persona. Sa i përket Shqipërisë janë 59 raste, mes tyre dy viktima dhe në Kosovë ka 20 persona të infektuar“.