A e dinit se në Shqipëri kolera ka rënë edhe në 1994?! Rrëfimi i gazetarës Rudina Xhunga nga karantina e Beratit 26 vjet më parë…

Jemi në mes të një pandemie, Koronavirusit. Shumë njerëz janë në panik, ndërkohë që SHqipëria sikurse edhe vendet e tjera të botës janë karantinuar. Por kjo nuk është hera e parë që shqiptarët përballen me një sëmundje. Hera e fundit ka qenë në shtator të vitit 1994. Po po, në 1994 në Shqipëri ra kolera. Më poshtë po ju bashkëngjisim një shkrim që gazetarja Rudina Xhunga, e cila shkroi për epideminë e kolerës pasi hyri ne karantinën e spitalit të Beratit.

Rudina Xhunga:

Hyrja në spitalin e ruajtur me policë është kategorikisht e ndaluar. Veç çdo rregull e ka nga një përjashtim për ta përforcuar, ndaj mjekët të lejojnë të futesh pasi ke veshur uniformën përkatëse, ke kryer dizifektimin dhe ke marrë paralajmërimin, për të mos prekur asgjë dhe asnjë.

Korridoret e spitalit janë plot vajtje –ardhje mjekësh dhe infermierësh të gjithë në gatishmëri. Me shumë edukatë të shoqërojnë, por asnjë s’flet më tepër nga ç’i kanë thënë të flasë: “Shumë shtrime, pak përmirësime, të njëjtat shenja, nuk mungon interesimi i ministrisë, i qeverisë, i ….”

Një spital primitiv, ku duart dizifektohen në një legen të përbashkët, plot shtretër të vendosur pranë e pranë, çarçafë që thuhet se quhen çarçafë, gjithë gjak, edhe pse kolera nuk ka gjak.

Pranë çdo krevati, legenë, që kur i sheh të dridhen duart. Pranë çdo komodine, enë që duhet të kenë pasur kos dhe shishe uji. Janë këto përfaqësueset e 30 litra lëngje të detyrueshme që duhet të marrë çdo i sëmurë.

.-Ç farë ju japin për të ngrënë?

-A.Ç: Nuk ha dot, pi vetëm lëngje.

-Ç’lëngje?

-Trisol-shpjegon mjeku aty pranë.

-Jeni të kënaqur nga shërbimi i mjekëve?

-Po shumë të kënaqur.

Mjekët janë gjithandej, përreth, kudo, pavarësisht nga pamundësitë, pavarësisht nga mungesat. Ndërkaq shtrimet shtohen me orë.

-Nga jeni?

-B.K.- Tani vij nga Kuçova

-Pse nuk u shtruat në spitalin e Kuçovës?

-Ishte plot, s’kishte më vende. Të gjithë po vijnë këtu tani.

Spitali i Kuçovës tashmë është plot. Megjithëse në spitalin e Beratit gjithë pavionet po zbrazen nga të sëmurët e tjerë, për t’u mbushur me shtrimet në shtim të të sëmurëve “gastrointestinale”, përsëri ….Po pastaj?

-Si jeni?

-L.D.- Tani kam të njëjtat shenjat shenja me të tjerët, po isha më rëndë.

-Ishte pa vetëdije dhe me mungesë artikulimi.-shpjegon mjeku.

-Nga vini?

-Punoj në repartin ushtarak të Kuçovës Reparti 40-30 i aviacionit.

-Keni pasur probleme ushqimi?

-Them se duhet ta kem nga uji. Ne kemi pirë për një kohë të gjatë ujë që sipas ekspertizës doli I ndotur.

-Po kolegët tuaj?

-Shumë janë të shtruar këtu, të tjerë në Kuçovë

-Ç’emër ka kjo sëmundja juaj?

-Lëre, -thotë mjeku,- mos e ngacmo më.

N.K. 22vjeç

-Nga vini?

-Nga Perondia.

-Si jeni me ujin atje?

-Lëre djalin se është me serume e s’flet dot. Të përgjigjem unë se jam e ëma. Në Perondi gjithë kohës kemi pirë ujë pusi. Ka 3 vjet që erdhën çezmat kështu që puset u lanë pas dore dhe u mbushën gjithë plehra. Vetëm se pasi erdhën çezmat dolën që tubacionet ishin të vjetra e duheshin ndërruar.

U hodhën të vjetrat, të rejat s’u vunë kurrë dhe ne mbushim ujë 1 orë larg në Meteor, ku është reparti ushtarak. Doli që aty uji ishte i ndotur. Ku di gjë unë pastaj.

-Në shtëpinë tuaj u sëmurët ju në fillim?

-Në fillim unë me diarre e të vjella. U vizitova tek mjeku i fshatit që më dha ca kokrra të bardha. S’i vura shumë rëndësi në fillim por kur u bëra më keq, u sëmur dhe djali dhe erdhëm të dy në spital.

-Ka të tjerë të sëmurë si ju në fshat?

-Plot

-Perondi, Lapardha, Lepenicë, Kuçovë, janë vatrat- shpjegon mjeku.

-Në fshat pas kësaj epidemie kanë ardhur mjekë?

-Ç’mjekë moj?

-Po dizinfektime janë bërë?

-Jo

-Po djali si është tani?

-I këputur. Ka 3 ditë që s’ha, merr vetëm serume

-Ç’ju kanë thënë mjekët, nga se vuani?

-Nga gast…seç ka një emër të vështirë.

Asnjë s’di nga se vuan. Të shtrirë, të këputur, të zbehtë, të mbytur në pisllëk e të frikshëm, ata nuk dinë se për ta shtypi vendas e i huaj shkruan me gërma të mëdha: ALARM KOLERA

Njëri nga mjekët që shoqëron thotë nënzë: Po bëhet fjalë për kolerën. Erdhi konfirmimi i analizave nga Tirana dhe Parisi. Eshtë  kolerë.

Vetëm se duhet të flasë zyrtarisht ministri e të tjerë, që të flasim dhe ne hapur.

-Antibiotikët që përdorni për të kuruar kanë dhënë përmirësime?

-Rëndësi ka të parandalohet apo të kapet në kohë, se pastaj as antibiotikët s’bëjnë dot gjë.

-Sa është probabiliteti i vdekjes?

-Probabiliteti i vdekjes është i barabartë me të jetës 50% me 50%.