Mjeku Pipero sqaron gjendjen e 61-vjeçarit: U përpoqëm shumë ta rikthejmë në jetë, gjendja vazhdon të jetë e rëndë

Ministria e Shëndetësisë deklaroi pak më parë se 61-vjeçari që u konfirmua si viktima e pestë nga koronavirusi në Shqipëri, është në vdekje klinike.

Mjeku Pëllumb Pipero ka sqaruar publikisht deklaratën duke thënë se 61-vjecari nga Tirana ka bërë vdekje klinike që zgjati gjatë, por mjekët nuk u dorëzuan duke e kthyer në jetë. Gjithsesi gjendja shëndetësore e pacientit vazhdon të mbetet e rëndë.

“Kemi raste të rënda dhe kemi raste shumë të rënda sikundër janë pacientët e shtruar në repartin e terapisë intensive, midis të cilëve njëri nga rastet sot në mëngjes ka bërë vdekje klinike, vdekje që zgjati relativisht gjatë por pa e humbur shpresën e personelit shëndetësor, të mjekëve reanimator për ta rikthyer atë në jetë. Fatmirësisht u rikthye në jetë por vazhdon të jetë ende rëndë.
Në këtë situatë, në këtë lloj dinamike të zhvillimit të pandemisë në vendin tonë, të rasteve të shtuara edhe këtu tek Ne, por edhe rasteve të konfirmuara çdo ditë, vazhdoj të këmëngul e t’iu them të gjithë qytetarëve, të jenë të duruar, të qëndrojnë sa më gjatë në shtëpi dhe nëse kanë nevojë mjafton të telefonojnë në numrin 127” tha Pipero.