“Pandemia është duke u përshpejtuar”/ Sekretari i OKB bën thirrje: Duhet armëpushim global, tërhiquni nga armiqësitë

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka delaruar se pandemia e koronavirusit është duke u përhapur me shpejtësi.

“U deshën 67 ditë për të arritur në njëqind mijë infeksionet e para, njëmbëdhjetë ditë për 200 mijë dhe katër ditë për 300 mijë”, deklaroi ai.

Ndërkohë, OKB ka bërë thirrje për një armëpushim mbarëbotëror në kushtet se në vendet e shkatërruara nga lufta, është shkatërruar edhe sistemi shëndetësor.

“Furia e koronavirusit tregon çmendurinë e luftës. Kjo është arsyeja pse unë kërkoj një armëpushim global dhe të menjëhershëm në të gjithë cepat e botës. Është koha për të ndaluar konfliktet e armatosura dhe të përqendrohemi në luftën e vërtetë të jetëve tona. Palëve në luftë iu them: tërhiquni nga armiqësitë”.

Ky është mesazhi i sekretarit të përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres. “Të mos harrojmë se në vendet e shkatërruara nga lufta, sistemet shëndetësore janë shembur”, shtoi ai.