Koronavirusi prek edhe Martti Ahtisaari-n, diplomati që ndihmoi në zgjidhjen e konfliktit në Kosovë rezulton pozitiv

Koronavirusi ka prekur edhe ish-presidentin e Finlandës, Marti Ahtisaari.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Presidentit të Republikës të martën.

Gjendja e Ahtisaarit, i cili është 82 vjeç është stabile.

Martti Ahtisaari ka qenë Presidenti i dhjetë i Finlandës (1994–2000). Ai gjithashtu ka fituar çmimin Nobel për Paqen, duke qenë edhe  një diplomat dhe ndërmjetës i Kombeve të Bashkuara.

Kombet e Bashkuara e dërguan Ahtisaarin në Kosovë të ngarkuar me organizimin e negociatave për procesin e statusit të Kosovës, e cila më vonë shpalli pavarësinë e saj.

Në vitin kur u shpall pavarësia e Kosovës, Ahtisaari fitoi çmimin Nobel për Paqen me motivacionin “për përpjekjet e tij të rëndësishme, në disa kontinente dhe mbi më shumë se tre dekada, për të zgjidhur konfliktet ndërkombëtare”.

Deklarata Nobel thoshte se Ahtisaari ka luajtur një rol të spikatur në zgjidhjen e konflikteve serioze dhe të zgjatura, përfshirë ato në Namibia, Aceh (Indonezi), Kosovë dhe Irak.

 

Po ashtu e prekur nga koronavirusi ka rezultuar edhe bashkëshortja e tij, zonja Eeva Ahtisaari.

Eeva Ahtisaari është 83 vjeçe dhe është në gjendje të mirë.