Lajme të mira nga infektivi, shërohen 17 pacientë të infektuar, mes tyre një mjek dhe një infermiere

Më në fund lajme të mira vijnë nga spitali Infektiv. 17 pacientë me COVID-19 janë shëruar plotësisht dhe kanë rezultuar negativ pas testeve të dyta, mes tyre një mjek dhe një infermiere. Lajmin e ka konfirmuar ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

9 mjekë kanë rezultuar derimë tani të prekur me koronavirus në vendin tonë.

Postimi i Manastirliut:

Sot lajmi i mirë është shërimi i një mjeku dhe një infermieri mes 7 qytetarëve të konfirmuar më herët me COVID-19, që sot rezultuan negativë në testet e rradhës.

Mes pacientëve të shtruar në spital dhe personelit shëndetësor e qytetarëve të vetëkarantinuar, shkon në 17 numri i personave që tashmë janë shëruar.

Të gjithë ndodhen në shtëpitë tyre, ku do të vazhdojnë të jenë të vetëizoluar edhe për 14 ditë.

Por nga ana tjetër, numri i qytetarëve të prekur po rritet dita-ditës. Po ashtu numri i qytetarëve që kanë nevojë për trajtim në spitale, ku deri tani janë 72 qytetarë të shtruar në spitalin infektiv.

LUTEMI qytetarë: Distancimi social dhe masat e higjienës janë THELBËSORE për të ndalur këtë armik të padukshëm

#VETËMBashkëMundT’iaDalim

Derimë tani në vendin tonë janë prekur 146 persona nga Covid 19, 23 prej të cilëve vetëm në 24 orët e fundit. Ndërkohë që një lajm pozitiv është ai i shërimit të 17 pacientëve, të cilët kanë rezultuar negativ pasi u janë nënshtruar dy testeve, dhe do të qendrojnë për 14 ditë në kushtet e vetëkarantinimit në banesat e tyre.

Në spitalin Infektiv ndodhen të shtruar 72 persona, 3 prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike për jetën. Siç edhe dihet tashmë 5 persona e kanë humbur luftën me koronavirusin dhe kanë ndërruar jetë që prej mbërritjes së pandemisë në vendin tonë.