Mbledhja e Këshillit të Sigurisë, nga masat e marra ndaj koronavirusit e deri te përballimi i situatës ekonomike, ja çfarë u diskutua

Ditën e sotme u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë nën drejtimin e Presidentit Ilir Meta. Kryefjala e diskutuimit ka qenë situata që po kalon vendi ynë në përballje me koronavirusin.

Në këtë  që u zhvillua me anë të një video-konference morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, ministrat përgjegjës, si edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Institucioni i Presidencës ka zbardhur takimin në fjalë.

Çështjet e diskutuara ishin:
Masat që janë marrë dhe po merren nga Qeveria për përballimin e situatës në vend dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pasojave të COVID-19;

Përballimin e situatës ekonomike, nga efekti i sjellë nga përhapja e COVID-19;

Masat e marra për rikthimin e shtetasve shqiptare, të cilët kjo situatë i ka gjetur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tyre, kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e qeverisë informuan për masat e marra dhe për skenarët që do të duhet të përballohen në varësi të zhvillimit të situatës. Ndërkohë, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi shprehu gatishmërinë për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për të përballuar këtë pandemi dhe pasojat ekonomike e sociale.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u zhvillua në një frymë tepër konstruktive dhe bashkëpunuese, dhe pati si qëllim kryesor unifikimin e të gjitha energjive dhe kapaciteteve njerëzore, mjekësore e shkencore për të përballuar me efikasitet të plotë këtë situatë të vështirë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari, ekonomisë kombëtare, paqes sociale dhe sigurisë. Presidenti Meta shprehu besimin se në këtë frymë uniteti, gjithëpërfshirjeje dhe bashkëpunimi, vendi do ta përballojë me sukses këtë situatë të vështirë, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë botën, në interesin me të mirë të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.