Koronavirusi po përhapet me shpejtësi dhe ka infektuar mbi 600 mijë njerëz në të gjithë botën. Ndërkohë, një tjetër deklaratë vjen në lidhje me simptomat e sëmundjes.

Drejtori i  Shëndetit Publik të Worcester në Massachusetts, Michael Hirsch, ka komentuar rastet që ka studiuar nëpër spitale dhe ka arritur në përfundimin se po zbulohet një simptomë e re e koronavirusit te personat e prekur prej tij.

“Ajo që kemi parë është se një pjesë e pacientëve nuk vijnë më shumë me probleme të frymëmarrjes sesa me dhimbje e trazim të stomakut”, thotë Hirsch.

Sipas Hirsch kjo ndodh për arsyen se pneumonia te pacientët zhvillohet në lobin e poshtëm të mushkërive. Ato pësojnë inflamacion, duke irrituar diafragmën që shkakton më tej dhimbje në stomak.

“Sa më shumë e njohim këtë sëmundje, aq më shumë shohim se manifestimi i saj nuk i përgjigjet gjithmonë “kornizës klasike” të kollës së thatë dhe temperatures”, thotë eksperti, teksa nënvizon këtu pikërisht shenjën e re të infektimit: dhimbje të stomakut pa simptoma respiratore.

Kjo shfaqet më së shumti te moshat e reja, ndërsa më të moshuarit kanë kryesisht vështirësi në frymëmarrje.