Nga Marjon Gorica

Nuk do t’ju kundërvihesha kurrë organizatave të shoqërisë civile, të cilat në këtë vend janë me mijëra, por fatkeqësisht vetëm nëpër vendime gjykatash. 

Funksioni apo qëllimi i tyre tjetërsohet, disa hapen thjesht dhe vetëm për ’emër’ e disa të tjera KÇK. Por pa diskutim janë një numër i konsiderueshëm OJF-sh të cilat operojnë denjësisht, duke dhënë shumë për komunitetin e target grupet e caktuara. Nuk është nevoja t’i përmend me emra, pasi ato pak që janë numërohen me gishtat e dorës e të gjithë e njohim kontributin e përhershëm të tyre falë ndyrshimit pozitiv që sjellin në shoqëri.
Ndërkohë sot, shohim në disa media onlinë një kërkesë nga një grup organizatash ku mes emrave të organizatave ka organizata të padëgjuara kurrë më parë. 
Organizata që kërkojnë mbështetje financiare, në një kohë kur duhet të jenë në terren përkrah grupeve që mbështesin! Sepse kjo pandemi nuk njeh të varfër, të sëmurë, të moshuar, persona me aftësi të kufizuara. Kjo pandemi i prek të gjithë, e nëse të gjitha OJF-të do të kontribuonin për target grupet që mbështesin situata do të ishte më e lehtë. Pikërisht në këto momente kur njerëzit presin mbështetjen e tyre, OJF-të kërkojnë ndihmë financiare nga fondet që shteti jep për të mbështetur shoqërinë! 
… mund të duket absurde por ja që ndodh.
Është e qartë së në shoqërinë tonë ka shumë grupime të regjistruara në Gjykatë dhe që në gjenezë janë të përcaktuara të funksionojnë nëpërmjet projekteve. Nëpërmjet tyre arrijnë të akumulojnë të ardhura për veprimtarinë që kanë. 
Pra, sot rreth 3 javë pasi Shqipëria është e bllokuar me qëllim garantimin e sigurisë së jetës së çdo kujt prej nesh, këto grupime që supozohet të jenë krijuar për të ndihmuar dhe përfaqësuar shoqërinë civile kërkojnë të përfitojnë nga fondet që shteti shqiptar po jep “me shumë kursim” për të mbështetur popullin shqiptar në këto ditë të vështira. Pa dashur të fyej askënd, por kjo po ndodh. 
Duke u ndalur tek mbështetja financiare që kërkojnë këto OJF, nuk arrij të kuptoj cili mund të jetë dëmi i sjell në këto 3 javë? 
Do të kishit përfituar projekte përgjatë këtyre 3 javëve, apo do të kishit plotësuar apilikime (të cilat përgjithësisht bëhën online)?
Ne e dimë shumë mirë sa kohë do përfitimi i një granti, nga shpallja e thirrjes për projekte, tek kualifikimet, fituesit dhe kalimi i grantit.
Ndaj, 3 javët që lamë pas e 3 javët në vijim nuk janë argumenta për të dalë në konkluzionin e asaj që ju keni dokumentuar. Madje as më tepër se kaq! 
Bëni atë që duhet të bëni, e jo atë që ju “doni” të bëni! ?
Lajmi më i bukur i shoqërisë civile sot e dini kush do ishte?
Të ishim bërë bashkë për t’i shërbyer vullnetarisht të moshuarve, të cilët kanë përpara një nga betejat më të vështira me jetën. 
#BëhuiDobishëm