Dr. Teuta Nunaj

Pedagoge dhe Eksperte Ekonomie

Në kushtet e një demokracie funksionale, një nga rregullat bazë që zbatohet në menaxhim është demokraci në vendimmarrje dhe diktaturë në zbatimin e vendimit. Por, Shqipëria si e tërë bota e qytetëruar apo më pak e qytetëruar, ndodhet në një luftë të paparashikuar dhe kuptohet, edhe të padëshiruar. Një luftë me një armik të përbashkët, që globalizimi na e bëri dhuratë lehtësisht të gjithëve. Jo sepse, po të ishte bota më pak globale virusi korana nuk do të përhapej anekënd, por sepse globalizim dhe rënie e barrierave e përshpejtuan atë, duke e sjellë virusin aq shpejt në pragun e dyerve tona, sa shumë vende, edhe super të zhvilluara i kapi gafil. Në kushtet e luftës, siç edhe jemi tashmë, qeveritë nuk e kanë më luksin e një vendimmarrje demokratike, por e kanë mundësinë e zbatimit të diktaturës në aplikimin e vendimit. Dhe kjo gjë në mënyrë të menjëhershme po ndodh kudo. Kur bie zjarri, nuk ke kohë të diskutosh demokratikisht sesi duhet ta shuajmë atë…

Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, më 1 janar 2019 në Shqipëri banojnë 2,862,427 individë, prej të cilëve 855,899 banorë ose 1/3 e popullsisë janë në moshën 10 – 29 vjeç. Dmth të lindur dhe të rritur në vitet e tranzicionit ende të brishtë shqiptar, që nuk e njohin të jetuarit në diktaturën e proletariatit, por që pretendojnë se njohin vlerat e lirisë, në të gjitha dimensionet e saj. Kjo grupmoshë është themelore të kuptojë se në kushte lufte/pandemie, e drejta e jetës prevalon mbi të drejtën e lirisë personale, e cila nuk është absolute, por si diçka relative, duhet interpretuar sipas kohës në të cilën ajo vepron. Dhe nëse ata e kuptojnë drejt këtë, do të ndikonin edhe te prindërit apo gjyshërit e tyre për të respektuar karantinën. Ndoshta edhe Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut, do të duhej të parashikonte edhe një pikë të shtatë përjashtimore të lejimit të mohimit të lirisë, siç është ajo, kur jemi në kushte lufte/pandemie dhe kur lëvizja e lirë e njerëzve cënon drejtpëdrejtë të drejtën e parë dhe më të rëndësishme njerëzore, që është e drejta e jetës.

Problemet themelore që përcjellin sot ekspertët e fushës, nuk lidhen me “shkeljen” e lirisë personale, që lidhet drejtpërdrejtë me lirinë e lëvizjes, e cila është kufizuar në të gjitha vendet ku virusi korona ka gjetur strehë, por lidhet drejtpërdrejtë me atë çka kjo situatë do të ndikojë në formësimin e të ardhmes sonë në të gjitha fushat: politike, ekonomike, sociale e kulturore. Ne po shohim se nacionalizmi në shumë vende ia ka zënë vendin globalizmit dhe efektet e kësaj politike kanë filluar të shfaqen. Ne po shohim se vendimmarrjet po merren në një kohë afatshkurtër, por me një ndikim kombëtar, rajonal e global afatgjatë dhe kjo gjë nuk mund të shmanget, por duhet të shërbejë si kambanë alarmi, që duhet të marrin në konsideratë vendimmarrësit, sidomos ata shqiptarë.

Zbatimi i teknologjisë së avancuar për të survejuar individin është bërë tashmë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjeve të shteteve të zhvilluara, por ne në Shqipëri jemi ende larg saj. Teknologjia po iu mundëson qeverive monitorimin e çdo shtetasi përmes celularit që njerëzit kanë në përditshmëri, përmes kamerave që identifikojnë individët nga fytyra dhe përmes gjurmimit. Ndërkohë, ne ende në Shqipëri identifikojmë apo gjurmojmë prezencën e individëve në rrugë përmes fotove, që u bëjnë rrugëve punonjësit e policisë, për të dokumentuar nëse janë të zbrazura ose jo. Ekspertët thonë se frika për përdorimin e teknologjisë është jo e vërteta që ato përcjellin, por tendenca që mund të kihet nga qeveritë për manipulimin e njerëzve. Ndërsa sot, ne jemi të gatshëm që për të mbrojtur jetën tonë, të sakrifikojmë privatësinë tonë, e cila për hir të së vërtetës ka një tjetër kuptim, siç mund të kishte qoftë edhe një dekadë më parë. Por këtë gjë, nuk mund ta themi kur rreziku i virusit korona të largohet.

Unë mendoj se ne në Shqipëri, nuk është se nuk kemi besim se karantina na ndihmon të mbrojmë shëndetin tonë. Por reagimi i papërgjegjshëm i mjaft njerëzve duke shkelur karantinën, lidhet me besimin që ata kanë ndaj qeverisë. Çdo reagim të Kryeministrit Rama e shohin dhe e lexojnë si reagim të politikanit Rama dhe ata në thellësinë e tyre kundërshtojnë politikanin më shumë sesa kryeministrin e tyre. Pa përfshirë këtu, edhe natyrën tonë si ballkanas, që do të kundërshtojmë dhe do të themi gjithnjë të kundërtën e asaj çka bëhet apo thuhet. Edhe pse Kryeministri Rama dhe bashkëpunëtorët e tij po përpiqen t’i mbajnë të informuar qytetarët, sërisht mungesa e besimit ndaj tyre si politikanë, po ngre më shumë krye, sesa analiza nëse vendimmarrjet dhe masat e marra prej tyre janë ato të duhurat. Pra, në themel është mungesa e besimit dhe jo mosdakordësia për të respektuar masat dhe vendimet e marra. Për këto arsye, zyrtarët publikë duhet të fillojnë të mendojnë edhe për ndërtimin e besimit mes tyre dhe popullatës së pabindur, sidomos aty ku ai është i cënuar më thellësisht. Ndaj, atë survejim që qeveria shqiptare nuk mund ta bëjë përmes teknologjisë, le të fillojë ta bëjë përmes vendosjes së një marrëdhënieje besimi me popullatën, që ata t’i zbatojnë vendimet me koshiencë të plotë, duke besuar se janë të duhurat, edhe kur ata nuk janë votues politikë të kësaj qeverie.