Në një kontaktim që redaksia jonë pati me stafin e Bashkisë Skrapar në lidhje me mënyrën si po organizohet procesi i shpërndarjes së ndihmave vështirësitë që hasen gjatë këtij procesi, ky institucion është shprehur se kanë disa grupe  në terren, ku përfshihen dhe njësitë administrative, ndërkohë që janë ndihmuar mbi 350 familje.

Informacioni nga Bashkia Skrapar:

Në Bashkinë Skrapar me urdhër të Kryetarit të Bashkisë janë ngritur grupet e punës për evidentimin e familjeve në nevojë dhe pensionisteve të vetmuar, të cilët nuk kanë asnjë nga fëmijët që jetojnë në njësinë e tyre të banimit. Me vendim të Këshillit Bashkiak është miratuar një fond për trajtimin e këtyre familjeve në nevojë dhe pensionistëve të vetmuar. Deri tani shpërndarja e ndihmave ka ecur mire, janë shpërndarë 350 pako ushqimore për këto kategori, në të gjitha Njësitë Administrative.

Vështirësitë janë të shumta, pasi nevojat për ndihma ushqimore janë akoma dhe më të mëdha, ka shumë familje që kanë nevojë.  Nga ana e bashkisë po shikohet mundësia me shoqata të ndryshme që të mund t’iu shkojmë në ndihmë këtyre familjeve.

 Në Bashkinë Skrapar janë ngritur grupet e patronazhit me punonjës të Bashkisë, Njësive Administrative dhe kryetarët e fshatrave, për t’iu ardhur në ndihmë pensionistëve të vetmuar në bërjen e pazarit, në marrjen e ilaçeve dhe për çfarë nevojash të tjera që ata kanë pasur. Ushqimet dhe shërbimi u është ofruar në banesë dhe në çdo orë nga ana jonë.

Deri tani grupet e patronazhit u kanë  shkuar në ndihmë rreth 20 rasteve në Njësitë Administrative, në shpënien e ilaçeve dhe bërjen e pazarit, edhe në qytet rastet i kemi të përditshme për bërjen e pazarit dhe ilaçeve të pensionistëve të vetmuar.