Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, dorëzoi pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kallëzimin penal kundër presidentit Hashim Thaçi, ka bërë të ditur përmes një komunikate MPBAP-ja të hënën. Z. Xhelal Sveçla publikoi këtë komunikatë:

“Të dashur qytetar,

Sot, më 30 mars 2020, në funksionin tim si U.D. I MPBAP, dorëzova pranë Prokurorisë Themelore të Prishtinës një Kallëzim Penal të bërë kundër Presidentit të Republikës, Hashim Thaçit, në lidhje me deklarimet e tij të datës 23 mars – për të mos respektuar Vendimet e marra nga Qeveria në raport me masat mbrojtëse kundër virusit COVID-19.

Më 23.03.2020, Presidenti në konferencë për media doli me një deklaratë publike ku bëri thirrje për mos-respektim të vendimeve të Qeverisë. Deklarimi i tij verbatim është ky:

– “Qytetarët nuk janë të detyruar që t’i respektojnë vendimet kundër-kushtetuese, dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë.

– As Policia e Kosovës dhe as organet sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim kundër-kushtetues të qeverisë, sepse kështu edhe vetë bëjnë vepër penale”,

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës parashihen gjithsej 30 nga kompetencat e Presidentit të vendit. As edhe njëra prej tyre nuk ka të bëjë me vlerësimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së vendimeve të Qeverisë. Kjo kompetencë u takon gjykatave.

Presidenti përmes deklarimeve të tij, dhe thirrjeve për mos-respektim të Vendimit të Qeverisë në datën 23 Mars 2020, përveç që ka shkaktuar paqartësi tek qytetarët, i njëjti gjithashtu ka mundur të ndikojë që përmes këtyre thirrjeve të shkaktojë kaos nëpër rrugë dhe të “kontribuojë” në shpërndarjen më të madhe të Virusit COVID-19 si rezultat i qytetarëve që nuk do të respektonin vendimin e Qeverisë – sipas rekomandimeve të Presidentit.

Në lidhje me këtë, dhe marrë parasysh se ne jemi të dedikuar t’i respektojmë organet e drejtësisë, dhe të krijojmë një shtet ku sistemet janë me të vërtetë të ndara, unë dorëzova Kallëzimin Penal kundër Presidentit, duke ngritur dyshimin e bazuar se Presidenti ka kryer veprën penale “Thirrje për rezistencë” të paraparë në Nenin 403 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – Tha Z. Xhelal Sveçla, u.d i Ministrit te Brendshëm në Qeverinë e Republikës së Kosovës./GazetaOra.com