Leonora Jakupi dhe Gold AG janë shprehur shumë të kënaqur me bashkëpunimin e lansuar për Pavarësi. Kënga përpos tetëvjetorit është bërë edhe si mesazh që t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit dhe të festojmë së bashku në liri.

“Pushkë e Çifteli” titullohet projekti që bashkoi dy këngëtarët. Kjo këngë u lansua mbrëmë (e hënë) në YouTube, ndërsa këngëtarët epromovuan atë në Express të KTV-së duke u shprehur shumë të kënaqur me pritjet e para.

Leonora ka treguar se kjo këngë është punuar shumë kohë më parë nga Don Arbasi, por që nuk ka pasur mundësi ta lëshojë deri tani, kur arriti bashkëpunimin me Gold AG.

“Është këngë e vjetër që e kemi bërë qysh në vitin 2014. Kisha problem për tekstin, atë që unë e doja për një këngë patriotike. E menduam ta lansonim edhe për 28 Nëntor, po kishim pak probleme. Goldi e realizoi tekstin siç e doja dhe ky nuk hezitoi të bashkëpunojmë”, është shprehur këngëtarja.

Ajo po ashtu ka thënë se “Pushkë e Çifteli” është mesazh për shqiptarët që “tani janë të përçarë, por që duhet të bashkohen dhe të festojnë në liri, pas sakrificave të shumta që ka bërë populli”.

I kënaqur është shprehur edhe Gold AG që thotë se bashkëpunimi është bërë me shumë qejf dhe mezi ka pritur të bashkëpunonte me Leonorën.

“Bashkëpunimi e ka arritur të veten. Është bashkëpunim që e kemi bërë me gjithë qejf. Kam pasur dëshirë përherë të bashkëpunoj me Leonorën”, ka thënë ai për KTV.