Blushi vs Rama: sinjale qe kthejne pas ne kohe

    “...shqiptaret ishin nje popull me fat. Ata e kishin shpikur te paret ilaçin kunder mendimit. Une kisha bere nje eksperiment duke i nxitur te votonin per nje te vdekur. Dhe ata me kishin ndjekur. Pa menduar.”

    Metafore emblematike kjo mbyllje e romanit me te fundit te shkrimtarit Ben Blushi. Metafore qe deperton murin e ndrojtjes intelektuale dhe deshmon aftesine per t’i dale te vertetes perballe, per ta zhveshur deri ne demaskim realitetin e nje Shqiperie alergjike ndaj mendimit, ndaj letres, ndaj artit intelektual. “Kandidati” eshte absolutisht nje nga tablote me metaforike te Shqiperise politike, por njekohesisht edhe nje skaner profesional i kancerit te nje shoqerie te zhytyr ne kllapine e inkonshit. Triumfi i nje kandidati te vdekur nuk eshte rezultat suprizues, po aq sa nuk eshte surprizuese ngjitja drejt altarit te pushtetit e nje Patologjiku pa identitet politik, pa profil te majte apo te djathte, por me tendence ndoshta te pavullnetshme per te udhehequr ne retrospektive, per te marre vendime plebishitare ne nje kohe kur demokracia infantile nuk ka oksigjen per te mbijetuar.

    Lufta per pushtet eshte absolutisht legjitime ne xhunglen politike e aq me teper legjitimohet kur pushteti eshte i vetmi anti-depresiv relaksues qe ekuilibron telat e mendjes se kalbur te te semureve psikike. Kjo lufte merr konotacion pozitiv kur qellimi ndryshon kah, kur pushteti justifikohet si i vetmi mekanizem per te ringjallur nje vend me njeren kembe ne varr, nje vend ku reptilet e politikes po zbojne nga Shqiperia mijera shqiptare, nje vend semi-demokratik ku liria e individit kacafytet dita dites me çensuren e moderuar ashtu si macja me tigrin, te dy te te njejtes prejardhje, por gjithsesi te kundert, njeri si grabitqar e tjetri si prè. Ne kete lufte nuk ka liri sepse liria ne vetvete eshte dhurata me e çmueshme qe nje udheheqes mund t’i beje kombit te tij dhe guximin per ta dhuruar nuk e ka kushdo. T’i japesh shqiptareve lirine per te protestuar pa i kapur prej leckash, pa i rrasur burgjeve, pa i trajtuar si kurbane te nje kopeje te plakur, pa i kercenuar me kacidhen e mbijeteses, do te thote t’u kesh plotesuar gjithçka per te cilen u zotove. Do te thote t’u kesh kthyer driten per t’i nxjerre nga erresira qe the se i mbulonte, do te thote t’u kesh dhene punen qe the se u mungonte, do te thote t’i kthesh nga rruget e botes ne token meme, do te thote t’i degjosh me pergjegjesi kur te trokasin ne deren e institucioneve qe nuk i ke trasheguar, do te thote t’u pergjigjesh si lider i nje vendi qe aspiron demokraci e jo si misherues i nje arrogance diktatoriale.

    Pa dyshim qe sfondi i retorikes se Blushit eshte kryekeput politik. Eshte nje tjeter cikel i luftes per pushtet. Ketu qendron edhe ndryshimi ne vetvete mes luftes se tij dhe asaj qe Rama dikur beri. Lufta per pushtet ndryshon nga lufta per karrige, sepse pushteti nenkupton vendimarrje dhe vendimarrja kerkon aftesi intelektuale, vullnet politik dhe deshire per t’u mbajtur mend si lider i nje te majte qe mendon, arsyeton, vepron dhe reformon si e majte. Ndodh qe motivi politik te jete gjithmone i njejte, prandaj edhe nese koha do ta konsolidoje nje dite demokracine ne Shqiperi, beteja per te ardhur ne krye te ekzekutivit do te kete te njejtin profil, por kauza te ndryshme. Eshte qendrueshmeria e kauzave ajo qe favorizon apo debolizon nje kandidat, eshte aftesia e tij per te dominuar ne nje kohe kur gjerat ecin mbrapsht, kur progresi bie ne gjumin e thelle dhe fundosja ekonomike e ben çdo shqiptar te pashprese.

    Ne kete kontekst zhvillohet diskursi politik i Blushit. Ne kontekstin e nje deshtimi fatal dhe te pamenduar te lidershipit aktual. Perpos aprovimit apo refuzimit te aspirates se tij politike, eshte fati i tij fakti qe çdonjera prej tezave qe ka ngritur qendron. Do te ishte verberi anormale te mohoje borxhin e thelle qe Shqiperia i ka institucioneve financiare nderkombetare, situaten ekonomike deflazioniste, renien e konsumit, papunesine me shifra galopante, “taksimin progresiv” aspak progresiv, goditjen e biznesit te vogel, reformen universitare selektive me taksen e universitetit publik teresisht absurde me te ardhurat mesatare te familjeve shqiptare. A mos ndoshta Blushi gabohet kur perserit ate qe eshte e shkruar si e zeza mbi te bardhe? Se tempulli i demokracise se Shqiperise eshte kthyer ne strehe te krimit, se korrupsioni vazhdon te jete shendetplote ashtu si ishte me pare, se mijera shqiptare rikthyen ne memorien evropiane imazhet e emigracionit te viteve ’90? Kam pershtypjen se arsyeja e mediatizimit, tronditjes dhe stresit politik qe retorika e Blushit po shkakton, eshte nje dhe e vetme: vertetesia e atyre qe thote. Mund te jete fat, rastesi apo edhe aftesi per te analizuar me profesionalizem situaten aktuale, por asnjera prej tyre nuk gjymton te verteten.

    Ne shqiptaret jemi vendosur disa here ne menyre indirekte perballe nje dileme qe duket se ironikisht koha e rikthen si te donte te testonte sa te forte e kemi memorien, sa gjate e mbajme mend dhimbjen qe shkaktojne plaget kur hapen, sa jemi gdhendur per te mesuar nga pasojat e fataliteteve. Nuk eshte hera e pare kur presim bileten per te pare ne ring perleshjen politike mes dy protagonisteve, njeri prej te cileve perfaqson intelektualet, berthamen e trurit te kombit dhe tjetri ose plebè ose thjesht borgjez pinjoll i diktatures, pa asnje profil intelektual. Kesaj here eshte nje faktor mbizoterues qe ndryshon kontekstin dhe mund te devijoje rrjedhen e ngjarjeve: faktori kohe. Ne jemi mesuar te presim gjate, te na vrasin dhe te na ringrene serish, te na ushqejne me bar dhe te na krahasojne me dele, te na shesin dhe te na blejne si femije te paligjshem ne duar te padroneve.

    Por, vjen nje kohe kur ai qe Hobbes e quan instikti shtazeror dhe irracional i individit, tejkalon arsyen. Vjen nje moment kur injoranca dhe analfabetizmi behen te pafuqishem perballe eksperinces se jetes, dhe shqiptari zoteron vetveten. Ata e dine mire se revolucionet e moderuara nuk i zhdukin asnjehere gjurmet e regjimit te vjeter, prandaj vazhdojne te udheheqin, te marrin vendime dhe te reklamohen politikisht sikur era demokratike te mos kishte fryre kurre. Troket nje moment kur ngarkesa psikologjike e nje shoqerie qe terhiqet zvarre perkthehet ne revolte, dhe per sa kohe shkaqet e revoltes nuk kane qene demokratike, as pasojat e saj nuk mund te kene profil demokratik. Kjo jo per faj te nje populli te revoltuar, por per faj te degradimit politiko-social te nje pseudo-demokracie. “Partia mbi Shqiperine” apo “Shqiperia mbi Partine”, me shume se sa loje mediokre mediatike eshte nje tallje mizore ndaj shqiptareve qe filozofia “Partia mbi Shqiperine” burgosi, internoi dhe vrau per pesedhjete vite. Ata qe e rikthejne kete filozofi duhet te kuptojne se vertet mund te jene pjese e nje partie qe duartroket nje relike enveriane, por koha eshte ne nje tjeter stad dhe erresira e periudhes kur kjo filozofi udhehiqte nuk ben gje tjeter veçse zgjon deshiren e shfrenuar per ta shfarrosur njehere e pergjithmone varrezen e mbeturinave diktatoriale.

    Per keto motive besoj fort se mbeshtetja ndaj diskursit politik te Blushit, nuk eshte aspak e ngjashme me perkrahjen ndaj nje tjeter aspiranti per pushtet. Perkundrazi, konotacioni qe ngjarjet e fundit kane marre i kane dhene tjeter profil kesaj lufte brenda Partise lider ne Shqiperi. Shqiperia e njeh mire natyren dhe pasojat e nje lideri qe vetzgjidhet dhe bota sot eshte denjesisht fobike ndaj plebishiteve hitleriane, atyre plebishiteve qe rikonfirmuan epoken me te zeze te Gjermanise, e qe ne katundin tone semi-demokratik pagezohen me nje tjeter mbiemer “referendume per te rikonfirmuar kryetarin e Partise”. Partia ne vetvete eshte grup interesi, e si i tille ndjek te njejtat rregulla loje si ne rolin e opozites ashtu edhe ne ate te mazhorances. Nje parti qe nuk miraton aktin legjitim te demokracise, zgjedhjet, nuk mundet kurrsesi te reflektoje nje qeverisje demokratike. Kete jo se nuk do, jo se nuk do te donte te qeveriste ne harmoni te plote, por se nuk mundet, se i trembet gjyqit te kundershtarit dhe ka nje fobi skizofrenike ndaj kritikes, e per pasoje ndoshta ne menyre edhe inkoshiente behet hiperprotektive dhe i gjunjezohet erresires te se shkuares duke perdorur çdo maske demokratike per te zhdukur zerin e kundershtise.

    Nuk eshte emri i Blushit qe kerkon mbeshtetje, aq sa ne fakt eshte kauza qe ai rizgjon, eshte rasti i betejes se zerit ndryshe, i lirise per te kerkuar dinjitet social dhe politik, i mundesise per t’u ofruar si alternative rimekembjeje ne nje beteje krejtesisht demokratike. Prova e besnikerise ndaj asaj qe Blushi artikulon eshte nje faktor qe i perket kohes, por e drejta e nje kombi, – qe pretendon se ka lidhur te ardhmen me demokracine dhe vlerat perendimore, – per te zgjedhur lidershipin e tij nuk mund te diktohet, te kushtezohet apo te vendoset definitivisht nga nje lider provizor.

    Eshte e vertete se historia perseritet. Eshte fakt se çmimi i lirise eshte stratosferik. Eshte boterisht e ditur se progresin dhe regresin i ndan nje fije peri ashtu si eshte e provuar se lojerat e pushtetit nuk tolerohen infinitivisht nga popujt. Ç’vlere mund te kete e ardhmja kur projektohet mbi nje te tashme te çale, te pamundur, te dehur nga depresioni shoqeror, te kredhur ne lojen e piste te krimit, te humbur ne luften kunder intelektualeve, filozofeve dhe illuminanteve te shoqerise.

    Asnje diktature nuk u quajt e tille gjate viteve te saj te jetes, emrin e mori nga regjimi pasardhes, prandaj askush mos te prese se do te flitet per rikthim te dikatures, perkundrazi gjithçka do te luhet nen siparin e demokracise … ketu qendron ironia, sarkazma, fatalja, çmenduria … tek maska intriguese e demokracise. Do te vazhdojne te propagandojne demokraci. E ndersa ata propagandojne detyra jone eshte te kundershtojme ate qe Blushi konfirmon te “Kandidati”. Per te vetmen here, ne shqiptaret le te mendojme …!

    Pranvera Shehaj – Studente ne degen “Shkenca politike dhe marredhenie nderkombetare”, prane “Università degli Studi di Trento”, Itali