Të besosh apo të dyshosh në sheshimin e përgjimeve telefonike?

    Unë dyshoj! Me këtë nuk dua të them se politikanët tanë janë shumë të drejtë dhe të moralshëm. Si qytetar mjaftueshëm kam argumente se politikanët tanë nuk janë të drejtë dhe nuk janë të përgjegjshëm. Gjendja e sotme për mua është argumenti më i mirë dhe më i fortë se politikanët tanë duhet t’i urrejmë dhe si të tillë nuk duhet t’i votojmë. Kjo gjendje ishte e tillë edhe para sheshimit (publikimit) të “bombave” të përgjimit.

    Mirëpo, për dallim prej shumë syresh, unë dyshoj për të gjitha përgjimet. Unë dyshoj edhe në fjalinë “besnik deri në vdekje”. Unë nuk jam si Ermira që këtë fjali e përdori kundrejt kundërshtarëve si argument gjunjëzues. Me këtë fjali ajo pranoi se materialet e përgjuara janë të vërteta, kurse çfarë të thotë tani kur protagoniste e këtij vargani të përgjimeve është edhe ajo?

    Prandaj, unë dyshoj në vërtetësinë e tyre, jo pse armiqtë tanë këto materiale po i sheshojnë, ngaqë parimisht disa të mira mund të vijnë edhe prej njerëzve të këqij dhe po këta që sot këtyre po i thonë armiq dëshmuan se ishin miq të zellshëm të këtyre armiqve, kuptohet për aq kohë sa ndanin së bashku tortën e pushtetit. Unë dyshoj në materialet e përgjimit për aq kohë sa të vërtetohen këto materiale apo për aq kohë sa vetë protagonistët e këtyre përgjimeve t’i pranojnë si të vërteta.