Bukuroshja ime

    (Monument poetik për të gjitha nënat)

    Vullnet Mato
    Vullnet Mato

    Bukuroshja që më lindi në vjeshtën e tretë,

    pasi më ushqeu me gjakun e bardhë të gjirit,

    më dha edhe bardhësinë e shpirtit të vet

    dhe më ruajti si dritën e bardhë të syrit.

     

    Nëna më mbajti plot dy vjet në sisë,

    të ma mbushte zemrën me dashuri të madhe.

    Më deshi si djalin e parë të shtëpisë,

    ndonëse i dha vatrës gjashtë djem radhe.

     

    Kur gjarpri më goditi me pickim të shpejt,

    nëna e thithi helmin e tmerrshëm me gojë,

    pranoi, pa asnjë mëdyshje, vdekjen e vet,

    vetëm nga vdekja e sigurt të më shpëtojë.

     

    Edhe kur gjashtë vjeç, më mori lumi

    e në gjeratoren e thellë m’u fundos jeta,

    nëna u hodh dhe më rrëmbeu nga uji,

    siç vërsulet shqiponja me kthetrat e veta.

     

    Nëna më mësoi t’i kushtohem punës,

    me pasionin që më kishin ngjitur në emër.

    Të vuaj në shpirt, kur njeriu vuan dhunën,

    dhimbjen e tjetrit ta ndjej thellë në zemër.

     

    Të mos vras zogjtë që këndojnë pemëve,

    të mos shkel as gjallesat ndanë udhe,

    se edhe ata kanë shpirtra si të njerëzve

    dhe nënat e tyre, i qajnë me lot e me kuje.

     

    Pa dashur nënën, që më solli në këtë botë,

    me të gjithë fuqinë e shpirtit që zotëroj,

    si mund të dua njerëzit, që gjeta mbi tokë,

    apo për frymorët e tjerë të sakrifikoj?!…

     

    Sepse, kur nëna nisi për mua krijimin,

    me lidhjen në mitër qelizë pas qelize,

    lidhi fort edhe shpirtin e saj me timin,

    për të gjithë kohën e përbashkët jetike.

     

    Nëna ka qenë për mua dashuria e parë

    dhe asnjë ndjenjë pasardhëse s’e lëkundi.

    Ndonëse mungon e nuk e shoh të gjallë,

    Nëna do mbetet dhe dashuria ime e fundit.

     

    Se të gjitha mirësitë, që më dhuroi nëna,

    pata hajmali, që më ndihën ecjen në jetë.

    Prandaj atë bukuroshe s’e ndaj nga zemra,

    deri në çastin kur të shkoj pranë saj dhe vetë…