Meditime urbane 2016

    “Kur të ndodh te kojshia prite te shtëpia”
    Proverb i vjetër popullore

    I ngujuar në dhomën e punës, po analizoi se si po ballafaqohemi me pasojat e dukurive natyrore, të reshurave atmosferike,ato në të shumtën e rasteve janë normale, duke mos përjashtuar as rastet e rralla ekstreme të fatkeqësive natyrore,që shumë rrallë kanë ndodhur në hapësirën shqiptare,në shekullin e ri.

    Meditoi se ku është katandisur kjo shoqëri,deri kur do të lejohen këta keqbërës të hapësirës tonë të veprojnë,a kanë limite apo kufi veprimet e tyre. Me siguri jo nëse ende vazhdon kjo mos përgjegjësi,mos dhënie llogari për veprimet e tyre të bazuara vetëm në interesat e tyre personale, pa iu frikësuar sado pak anës ligjore të veprimeve të tyre. A e dinë këta se ku do të përfundon kjo mënyrë e punës, ku pasojat do të bien te të gjithë banorët e Kosovës,ata po janë viktimat e një grupi keqbërësish që shfrytëzuan situatën e krijuar pas luftës, me veprime që askush nuk ka mundur ti imagjinoi pas robërisë disa shekullore osmane dhe sllave.

    Jemi dëshmitar të shtatëmbëdhjetë(17) viteve të pas luftës ku rroli i profesionistëve është margjinalizuar në ekstrem,gati në të gjitha fushat e jetës në Kosovë,posaçërisht në fushën e planifikimit hapësinor,urban dhe arkitektonik, gjegjësisht në ndërtimet që ndodhën në shekullin e ri XXI në Kosovë. Si rezultat i një politike urbane tërësisht të gabuar në këto vite, arritëm të kemi një degradim shqetësues të tërë hapësirë tonë që na rrethon.

    Të jemi të qartë,në rastet e fatkeqësive natyrore,njeriu me organizim të mirë në të gjitha aspektet duhet të tentoi që pasojat të jenë sa ma të vogla,ku siguria dhe jeta e njerëzve duhet të jetë primare. Duke u nisu nga veprimet tona vandalistë ndaj natyrës, ekzistojnë dilemat e arsyeshme sa është fuqia e atyre dukurive natyrore,ku pasojat e një shiu ma të madh,bore,ere ma të fortë,rrëshqitje e dheut, po kanë pasoja të mëdha në paralizimin e jetës,të mirave materiale e në rastin e fundit si në rrethinën e Shkupit edhe me viktima në njerëz që nuk munden të kompensohen.

    Vërshimet në periferi të Shkupit me 6 gusht 2016, ku pati edhe viktima në njerëz ( mbi 20 veta) treguan atë se nuk mundesh të ndërton ku të ju teket, por territorin duhet planifikuar,urbanizuar e pastaj ndërtuar, duke respektuar disa rregulla që i njeh deri me sot njerëzimi. Kështu gjithnjë do të jetë në rrezik banori i thjeshtë që lejohet të ndërtoi afër zonave të liqenit,zbrazja e të cilit shkaku i shirave të mëdha,pati pasoja të mëdha për jetën e atyre banorëve dhe dame materiale të mëdha nëpër shtëpitë,të mbjellat dhe në të mirat tjera materiale. Do të formohen grupe formale punuese për të gjetur shkaqet e kësaj katastrofe të shkaktuar edhe nga dora e njeriut. Do të ketë kompensime materiale por traumat dhe jeta e njerëzve që vdiqën nuk mundet të kthehet.

    Ma dëshpëruese është informimi nga tereni se shkaktari kryesor i kësaj tragjedie ishte faktori njeri me mos mirëmbajtjen,mos pastrimin e rrjedhave ujore të lumenjve,     proçkave,kanaleve ujitëse,lëshimi i pa kontrolluar dhe i pa paralajmëruar i ujit nga diga, me pasoja të mëdha me humbje jetësh të njerëzve. Tmerri dhe traumat e përjetuara atë natën e ferrit nuk munden të harrohen kurrë apo të fshihen nga memoria e atyre qe e përjetuan atë tmerr, të ndihmuar nga dora e njeriut dhe shtetit jofunksional.

    Situata hapësinore dhe urbane aspak nuk është ma e mirë as tek ne në Kosovë, për fat të mirë pos dëmeve të mëdha materiale në prona private dhe shoqërore, numri i viktimave në Kosovë është minimal vetëm falë asaj se të reshurat e shiut nuk ishin të intenzitetit si në Maqedoni,e jo se ne i kemi kushtuar kujdes preventives apo kemi mirëmbajtur mjedisin që na rrethon.

    Trajtimi i hapësirës tonë pas luftës ishte dhe është skandaloz,edhe se e kemi në dispozicion tëre logjistikën teknike. Një proverb i vjetër popullor thotë “Kur të ndodh te kojshia prite te shtëpia”. Kjo çka ndodhi në Hasanbeg duhet ë jetë vërejtje alarmante për vendimmarrësit tonë që urgjent të marrin masa parandalimi për rreziqet eventuale që do të iu nënshtrohen banorët e Kosovës, pasi distanca ajrore në mes të atyre dy zonave është shumë e vogël.

    Ma në fund Qeveria e Kosovës me Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave (AME), duhet të fillon të merr hapa konkrete për të sanuar situatën e sigurisë të krijuar, me mos veprimin tonë në harmoni me dokumentet hapësinore dhe urbane. Kjo kërkon me nda mjete milionëshe nga buxheti i ster-ngarkuar i Kosovës, apo marrja e kredive komerciale pasi asnjë donator i huaj nuk do të na financon mos-punën tonë.

    Se përpilimi i projekteve,revidimi,aprovimi,realizimi dhe shfrytëzimi i ndërtimeve është i një rëndësie të veçantë,po e tregon realiteti ynë i zymtë kosovar. Siguria e banorëve,zvogëlimi rreziqeve, evakuimi i tyre, është obligim i të gjithë atyre të cilët janë të kyçur në këto procese. Ata janë të obliguar të iu përmbahen normave,standardeve të projektimit,ndërtimit,zbatimit dhe shfrytëzimit të gjithë objekteve dhe hapësirave publike dhe private,çka në rastin e Kosovës nuk është duke ndodhur në shekullin e ri XXI.

    Po jemi dëshmitar të asaj se çka po ndodh në Prishtinë kur po bien ndonjë shi ma i rrëmbyeshëm, si ndodhi dy herë kohët e fundit, dhe ajo mu në mes të verës në korrik dhe gusht. U përmbytën shumë zona banimi,komunikimi dhe biznesi dhe u shkaktuan shumë dëme materiale të cilat dikush duhet ti kompensoi,

    Banorët e Prishtinës po punojnë dhe veprojnë me trauma permanente pasi kjo po iu ndodh sa herë që po bie shi. A duhet dikush të jep përgjegjësi nga ata që kanë kontribuar të kemi këtë situatë të krijuar. Ata që kanë lejuar ndërtime pa leje,edhe ato me leje, të ndërtuara me projekte të pa kontrolluara (reviduara),të pa mbikëqyrura,të pa pranuara teknikisht,me gabime teknike trashanike, që sot në eksploatim po na sjellin dame të mëdha e që po duhet ti paguajmë të gjithë ne e posaçërisht shfrytëzuesit aktual të atyre hapësirave. E mos të mendojmë për qasjen te objektet, në rastin e ndonjë fatkeqësie natyrore si janë tërmetet potenciale pasi Kosova konsiderohet si zonë tektonike,me rrezikshmëri të lartë.

    Është dëshpëruese si “bulevardi i pavarësisë”po na kthehet në”lum”artificial i cili i mungon Prishtinës pasi “kokat e mençura” i kanë mbulua-mbyllur dy lumenj aktiv të kryeqyetit, pa i llogaritur pasojat që i ngërthen një veprim i tillë për gjeneratat e ardhshme. Përgjegjësi aktual i Komunës arsyetohet më shkaktarët që po e krijojnë këtë situatë të pa pranueshme,në numrin e madh të ndërtimeve pa leje,në “gypat problematik” të kanalizimit atmosferik të cilët nuk janë dimensionuar për të bartur prurjet e ujërave atmosferik nga pjesët tjera të qytetit,në domosdonë e pjertësisë natyrore për ujërat sipërfaqësor etj. Për krejt këto “marifete” ne si banorë të kryeqytetit ma së pakti jemi fajtor që po pësojmë,a duhet të filloi ma në fund të zbatohet përgjegjësia individuale apo kolektive për atë çka ka ndodhur,çka po ndodh dhe çka do të ndodh në Prishtinë dhe  Kosovë në të ardhmen ?

    Nën ato hapësira ekziston shtrati i lumit Vellusha i mbuluar dhunshëm, i cili akuzon dhe po na hakmerret,po vërtetohet ajo thënia e vjetër “natyra duron por dinë edhe të dënon” për veprime të gabuara. Qëndrimi im është se tërë kjo që tani po na ndodhë është rezultat i degradimit urban të kryeqytetit të cilin vet e kemi bërë. Do të duhen vite të tëra dhe miliona euro për të bërë rehabilitimet urbane, gati në tërë Prishtinës. Ato para ekstra do ti paguajmë vet ne, në anën tjetër kualiteti i jetës urbane me dekada do të jetë i varfër, duke paguar veprimet e pa përgjegjshme të vendimmarrësve tonë të fillim shekullit të ri.

    Deri kur ne shqiptarëve na duhet një imponim i detyrueshëm për tu “vetëdijesuar” dhe për të kuptuar se kështu nuk bënë ma,jemi duke jetuar në shekullin 21,mos respektimi i principeve hapësinore dhe urbanë po na hakmerret me humbjen e jetëve të njerëzve dhe të mirave materiale,e çka është ma tragjike me këto veprime-ndërtime gjithnjë do të jemi cak këtyre dukurive natyrore, që bota e civilizuar në suazat e të mundshmes po i lufton me sukses.