Nga: Blerina Ҫizmja

Një libër që përcjell fuqishëm dhe me realizëm kujtesën e krimeve, trishtimin e pasluftës dhe njëkohësisht, zhgënjimin e një populli që aq shumë e aspiroi lirinë… Gjithçka ndërthuret harmonishëm nëpërmjet ngjarjeve dhe tipareve të personazheve, të cilat lidhen mes tyre në një pikë a në tjetrën, për të plotësuar tablonë e Kosovës së pasluftës.

Një libër që këlthet nga dhimbja, por më shumë nga dëshira për t’iu kthyer ndërgjegjësimit se nuk është kjo ajo çka aq shumë aspiruan luftëtarët për liri; një popull i tërë i masakruar në emër të urrejtjes etnike, por që kurrë nuk e humbi shpresën për një të nesërme më të mirë. Me gjithë dhimbjen që shoqëron në çdo hap fatet e personazheve, çdonjëri prej të cilëve ka shumë për të thënë qoftë edhe me heshtjen e tij, libri të lë një shije optimizmi dhe force për të vazhduar, duke ndryshuar.

Sepse, siç u thotë njëri ndër personazhet e skalitura mjeshtërisht, nxënësve të tij: “Juve ju mbartet amaneti për ta kompensuar kohën e humbur të dijes, shkencës dhe kulturës me angazhim të dhjetëfishtë, sikurse bënë paraardhësit për lirinë. Dhe, nëse ju nuk e përfillni këtë amanet, do t’ju ndjekë edhe në varr mallkimi i paraardhësve dhe pasardhësve”.

Një libër që do t’ju mbetet gjatë në kujtesë, duke ju bindur se të gjitha personazhet e tij i keni takuar në jetë, i keni njohur nga afër dhe i keni dashur, si t’i kishit të afërmit tuaj.