Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, apo siç thonë në Bruksel “Prishtinës dhe Beogradit”, do të takohen të hënën në Bruksel pas një kohe të gjatë për të diskutuar çështjet teknike që kryesisht lidhen me zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë.

Për një kohë të gjatë nuk ka pasur takime as të nivelit të tillë teknik, ndërsa i fundit që u desh të zhvillohej u anulua para se të niste, pas vrasjes në veri të Mitrovicës të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, shkruan sot Koha Ditore.

Atëherë delegacioni i Beogradit u kthye nga Brukseli duke thënë se “në rrethana të tilla nuk ka arsye të bisedohet”.

Por prej atëherë, ndonëse kohë pas kohe thuhet se ka përparim në hetime të rastit të vrasjes së Ivanoviqit, ende nuk ka ndonjë rezultat konkret që do të çonte në përfundimin se kush dhe për çfarë arsyeje ishte vrarë ky politikan.

Burime nga Komisioni Evropian kanë thënë për Tanjug se pritet që bisedimet të jenë konstruktive dhe të fokusuara në rezultatet e arritura në zbatimin e çështjeve të mbetura të hapura nga marrëveshja e Brukselit.

Sipas mediave serbe, ditën e parë për të dialogut do të bisedohet për çështjet, siç janë: zbatimi i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe tabelat e regjistrimit të automjeteve, menaxhimi i kalimeve kufitare dhe zbatimi i marrëveshjes për gjyqësorin.

Edhe dy çështje të tjera, themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe (ASK) dhe energjetika do të duhej të jenë në agjendën e bisedimeve ditën e dytë të takimit në Bruksel.

“Zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog është i rëndësishëm për progresin e Serbisë dhe Kosovës në rrugën drejt BE-së”, thonë në Bruksel para këtij raundi të bisedimeve.
Sipas disa burimeve, nëse bisedimet të hënën dhe të martën sjellin përparim në formimin e ASK ose të energjetikës kjo do të mund të jetë një shkas për takimin e paralajmëruar të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, përcjell Telegrafi.

Në BE thonë se është në dorën e dy presidentëve të bisedojnë kryesisht për “fazën e re” të dialogut, i cila duhet të jetë “e plotë dhe thelbësore” për zgjidhjen e marrëdhënieve në mes dy palëve.

“Përfaqësuesja e Lartë e BE-së do t’i ftojë presidentët Vuçiq dhe Thaçi në Bruksel në momentin kur do të jetë i mundur një përparim i dukshëm në dialog”, i kanë thënë agjencisë serbe në Bruksel.
Edhe pse në BE thonë se ende nuk kanë ndonjë datë zyrtare për një raund të ri të dialogut në nivel të lartë politik, thuhet se presidentët Vuçiq dhe Thaçi tashmë mund të takohen javën e ardhshme në një drekë të përbashkët, të cilën për liderët e rajonit e organizon kryeministri bullgar Bojko Borisov në Sofje, ku do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shefja e BE-së Federica Mogherini dhe Komisioneri Johannes Hahn.

Para vazhdimit të dialogut teknik, i cili është ndërprerë për më shumë se një vit, nga Beogradi bëjnë të ditur se gjatë bisedimeve do të ngrisin çështjen e rezultateve të hetimit lidhur me vrasjen e njërit nga udhëheqësit të serbëve në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Në të njëjtën kohë, në Prishtinë thonë se do të prezantojnë një projekt marrëveshje të re për ASK, e cila duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.