Është vetëdorëzuar në polici, Mikel Alia i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në vrasjen e shokut të tij të fëmijërisë, Eri Zefit 34-vjeçarit që u gjet i vrarë në një kanal në Zall Xhuxhë.

Alia ishte shok fëmijërie me viktimën por hetimet kanë nxjerrë se ka qenë pikërisht ai që ka nxjerrë në pritë 34-vjeçarin tek personat që e ekzekutuan.

Ky i fundit prej muajit shkurt 2019 kishte reduktuar lëvizjet e tij dhe frekuentimin e personave të ndryshëm, pasi i ruhej një gjakmarrje të mundshme.

 Kjo pasi, Eri Zefi është vëllai i Ndue Zefit, ky i fundit në shkurt të këtij viti ka vrarë fqinjin e tij 45-vjeçarin Martin Ndreca, pas një sherri banal.

Si pasojë e kësaj vrasje, Eri Zefi, i ndruhej një hakmarrje të mundshme dhe për këtë ai kishte marrë kërcënime të njëpasnjëshme. Por gjaksit e tij, nuk mund t’i afroheshin shumë pranë banesës me qëllim ekzekutimin e Zefit, pasi shumë shpejt do të binin në sy dhe do vinin veten e tyre në rrezik.

Atëherë ata kanë filluar të venë në jetë një plan të sofistikuar duke përpunuar dhe paguar shokun e ngushtë të Eri Zefit, Mikel Alia, me qëllim që ky i fundit ta nxirrte nga shtëpia Zefin dhe t’ia çonte në pritë dy autorëve, që ishin caktuar për të bërë vrasjen.

34-vjeçari u ekzekutua me 6 plumba, 4 prej të cilëve e kanë kapur në kokë ndërsa 2 të tjerët në gjoks. Në trupin e viktimës u konstatuan shenja dhune dhe vrasja rezulton të ketë ndodhur gjatë natës pikërisht në vendin ku është gjetur trupi i viktimës. Viktima u gjet i vrarë në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg rrugës së “Kombit”.