(Kushtuar etërve e bijëve: dëshmorit Pelivan Selfo Bejaj (1890-1915), dëshmorit Shefit Selfo Bejaj (1892-1915), dëshmorit Sabri Pelivan Bejaj (1915-1944), që gjakun e derdhën për Atdheun dhe ish-ushtarak Bexhet Sabri Bejaj (1943-2019) dhe Dashamir Bexhet Bejaj ish-ushtarak, i cili shërbeu denjësisht në strukturat Forcave të Armatosura) I lindur në kohë pushtimi me vështrim nga e ardhmja.

Vlora dhe treva e saj është e shquar për mençuri, trimëri, burrëri, besë e këngë. Një ndër familjet me emër dhe që ja shtoi edhe më tej njohjen në Vlorën e flamurit është dhe familja Bejaj, që i dha Atdheut njerëz të trimërisë të pushkës e të penës, si vëllezërit Shefit dhe Pelivan si dhe i biri Sabri Bejaj, që është në panteonin e kombit shqiptar me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”. Këtë titull nderi e meritojnë edhe vëllezërit Shefiti dhe Pelivan Bejaj pushkatuar nga italianët në Luftën e parë Botërore. Në gjurmët e etërve dhe gjyshërve ecën edhe brezat Dashamiri, Shefiti e Mimoza, që mbrojnë idealin e të parëve, gjakun e dëshmorëve të derdhur gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në luftrat e shqiptarëve për liri. Kjo familje u përfshi si një e tërë në luftë, e në paqe, ku biri i dëshmorit Bexheti eci i sigurt me vështrim nga e ardhmja dhe ju përgjigj thirrjes për të punuar në strukturat e mbrojtjes së vendit në qytetin bregdetar të Vlorës, duke shkruar histori suksesi në frontin që i ishte caktuar. Po kështu djalin e madh, Dashamirin e orientoi me busull nga vetja, ku pas arsimimit ushtarak të shërbente edhe ai në njërën nga repartet elitare të kohës siç ishte Shkolla e Kuadrove Rezervistë në Bunavi e më tej edhe në strukturat më të specializuara dhe elitare të policisë së shtetit, duke u arsimuar në periudhën e demokracisë në një prej akademive më prestigjioze të policisë europiane e botërore siç është Akademia e Policisë së Parisit në Francë. E megjithatë jeta vazhdon, ndërkohë që para pak kohësh ish-ushtaraku mendjemprehtë e vizionar Bexhet Beja u shua por që ngeli në kujtesë nga shokët, miqtë, ish-ushtarakët e Vlorës dhe jo vetëm nga dashamirësit e shumtë që janë në gëzime e hidhërime bashkë me familjen Beja si biznesmeni fisnik Mitro Todhe, Prof. Bajram Hysa, Prof. Bernard Zotaj, Ramazan Ferra hero i punes socialiste, Komandanti i nëndetseve Skënder Rama, Isuf Ferra, Manxhar Binaj, Luftëtar Petroshati, Liço Liçaj, Ilirian Hoxha, Bajram Çela, Zake Xhamia, Kalo Peçi, Avdul Zani, Zaim Malaj, Kujtim Bazaj, Xhevdet Nuraj, Hajdar Dyrmishi, Nexhip Hoxha, Xhelal Hasalla, Tofik Hoxha, Naim Shameti etj. Gjithë brezat e familjes Bejaj të përbashkuar në një ideal, që mbi gjithçka qëndron ideali kombëtar.

Sabri Bejaj – partizan dhe dëshmor i Br V Sulmuese

Sabri Pelivan Bejaj lindur më 1915 në Karbunarë, në vendin e traditës, trimërisë e mençurisë, në vendin e burrave të besës dhe që i kanë dhënë shumë shqiptarizmës. Nëna dhe gjyshja e Sabriut këndonin vargjet e këngës si mbarë krahina: “S’ia dal dot me të qarë,/Po më të kënduar,/Zemërdjegur përvëluar,/Në mulli kafeje,/Është rrotulluar..”, sepse kështu rrotullohej jeta nga vuajtjet, skamja, uria e sëmundjet. E tillë ishte jeta në çdo derë e në çdo portë duke burrëruar djemtë para kohe në mbarë krahinën. Fëmijërinë e kaloi mes hallesh, brengash e përpjekjeve të mëdha për mbijetesë. Pushtimi fashist ishte një gjëmë e re për fshatin dhe pozicionimi i Sabriut ishte mëse i kuptueshëm si antifashist i orëve të para. Kur i erdhi koha për martesë Sabriu zgjodhi për grua të jetës Bejeko Shafiu nga Gorishti, familja e së cilës ishte e lidhur fort me lëvizjen partizane, ku babai i saj Arben Shafiu ishte partizan i çetës së Gorishtit. Sabriu ishte i lumturuar kur më 26.5.1943, u çel shkolla në fshat me mësues Fiqiri Maliq Xhafaj, që kishte mbaruar Normalen e Elbasanit dhe që kishte nxënës nga fiset “Bejaj, Xhafaj, Hysaj, Veizaj, Hodaj, Mataj, Skëndaj, etj. Por Sabriu jetën e kishte të lidhur me lirinë dhe doli partizan i BrVS, duke lënë gruan shtatëzënë në shtëpi. Gjermanët në një ikursion të rrufeshëm më 10.5.1944 arrestojnë mësues Fiqiri Maliq Xhafaj me bashkëfshatarët e tij Hekuran Dulo, Ahmet Hodaj, Brahim Hasani, Zyko Malko, Pasho Lamçe, Dino Myslymi e Nexhip Cano arrestohen dhe internuan në kampin e Prishtinës. Karbunari mirëpriti dhe mbështeti lëvizjen kundër fashizmit. Burrat dhe djemtë e tij u angazhuan në disa aksione luftarake, si në Luftën e Gjormit më 31 dhjetor 1942, në aksionin e Selenicës më 23 shkurt dhe 1 prill 1943, në Luftën e Penkovë-Peshkëpisë, Drashovicës etj. Më 16.4.1943 në Trubull u formua çeta e zonës me emrin “Ismail Qemali”. Që në ditën e parë të saj morën pjesë 13 karbunaras, si Namik Xhafaj, Sabri Bejaj, Ramiz Xhafaj, Nebi Danaj etj. Kjo çetë me 40 luftëtarë në tetor 1943 u fut në përbërje të batalionit “Ismail Qemali”, dhe më tej ju bashkua Brigatës V-të sulmuese. Sipas urdhërit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH-së dalë më 28.11.1943 në Gumenicë të Vlorës, do formohej BrVS. Baza e formimit të kësaj brigade qe bashkimi i batalioneve “Halim Xhelo” dhe “Ismail Qemali” me një efektiv prej më se 500 luftëtarësh. Komandant i kësaj njësie u caktua Abaz Shehu dhe komisar Hysni Kapo. Por Brigada u inaugurua më 20 janar 1944 në fushën e Bramyshnjës të Tërbaçit. Pas luftimeve në dhjetor 1943 që i paraprinë betejës së Gjormit vritet komandanti i brigadës Abaz Shehu dhe në vend të tij caktohet Shefqet Peçi. Brigada ku Sabri Bejaj u rrit dhe fuqizua si luftëtar pati një rrugë të lavdishme gjatë luftës në 3000 kilometra nga Tërbaçi deri në Sanxhak. BrVS i dha atdheut 368 dëshmorë të atdheut ndërmjet tyre edhe Sabri Bejaj, që ra heroikisht në Beun të Vlorës. Brigada zhvilloi luftime në Vajzë, Beun, Palasë, Vuno, Pilur, Salari, në roje të Kongresit në Përmet, Qafë të Gjarprit, Tufinë, Qafë Bardhë, Shkumbin, Labinot, Elbasan, Tiranë, çliroi Matin, Peshkopinë, Dibrën e Madhe, Kukësin, Gjakovën, Junikun, Deçanin, Prizrenin, Sinicën, Sanxhakun. Në 1945 u kthye në Atdhe dhe u dekorua “Hero i Popullit”, duke pasur si drejtues, komandat Shefqet Peçi e komisar Hysni Kapo. Nga bijtë e Karbunarit në altarin e lirisë mbetën përjetësisht dëshmorë: Sabri Pelivan Bejaj, Nebi Danaj dhe Ramiz Xhafaj. Për merita të veçanta fshati është dekoruar me “Medaljen e Kujtimit” dhe “Medaljen e Trimërisë”. Sabri Bejaj është shpallur dëshmor i Atdheut me Vendim nr. 97 datë 22.9.1972, të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Vlorës. Emrin e ndritur të dëshmorit “Sabri Bejaj” e mban sot shkolla e fshatit Karbunarë. Nderimin, respektin dhe mirënjohjen e përjetshme dëshmorit Sabri Bejaj dhe dëshmorëve të tjerë që gjakun e dergjën për Atdhe!

Biri i dëshmorit në rrugën e amanetit të të atit – Me armë në dorë për lirinë e Atdheut

Bexhet Sabri Bejaj lindi në një familje me tradita atdhedashëse e patriotike më 27.12.1943. Duke qenë “kohë lufte”, babai i tij lidhet fuqishëm me njësitet guerrile dhe ndërkohë që Bexheti ishte as motak, kur në të gjithë Shqipërinë tundej vendi nga krisla e pushkëve partizane. Dhe një prej këtyre pushëve ishte e babait të tij, Sabriut, i cili kur ra në fushën e nderit në Beun, në qershor 1944 dhe e la të birin Bexhetin vetëm gjashtë muajsh. Bexheti do përjetonte rritjen pa baba dhe do të niste mësimet fillore në vendlindje. Bejekua e rriti se djalin së bashku me nënën e Sabriut, Mahmude Bajrami, që ishte bija e Bajram Maskës, njeriut më të pasur të zonës së Karbunarit. Paslufta ishte pjesë e sakrificës, shkollimit jo më mbi tokën e djegur, por mbi tokë të lulëzuar. I rritur mes hallesh si djalë dëshmori organet e pushtetit vendor të kohës ja “kishin zgjedhur”, ose më mirë e vetëzgjodhi rrugën e jetës. Prandaj kërkoi të shkonte në Shkollën e Bashkuar të Oficerave, atje ku përgatitej ajka e djemurisë shqiptare në funksion të një  misioni të madh. Kështu nga 1.9.1960  deri më 31.07.1963 kreu me sukses të plotë Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, në specialitetin “Artileri Tokësore”, ku trupa akademike që kishin qenë ish-partizanë dhe shokë të babait të tij në luftë kishin studiuar në ish-BS, dhe që i përgatitën studentët me artin ushtarak të fitores së Luftës Botërore. Vitet e shkollës ishin për të vite të rritjes, forcimit dhe forcimit të pjekurisë dhe burrërimit për të shërbyer në një detyrë të  vështirë. Djali i dëshmorit i rritur në Karbunarë të Selenicës së Vlorës me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku nr.0360 datë 1.8.1963, titulluar oficer aktiv dhe emërohet në qytetin e Vlorës, një dëshirë plotësisht e realizuar. Pas një viti njihet me Hysnije Tartari (Shametaj) të bijën e Bazo Tartarit nga Sevasteri dhe martohen në verën e vitit 1964, ndërkohë që Bexheti ishte vetëm 21 vjeç. Nuk do të vononte dhe shtëpia do bëhej e madhe me tre gëzime, pasi çiftit të ri i lindën dy djem dhe një vajzë. Fëmijët i rritën dhe mirëedukuan me “disiplinë”, që rrugët e shtigjet e jetës t’i çanin me zotësi e ndershmëri. Ndërkohë që për Bexhetin karriera ushtarake do të vijonte përgjatë gjithë kohës në rrethinat dhe brenda qytetit të Vlorës. Nga gushti 1963 deri më shkurt 1967 ka shërbyer me detyrë “Komandant toge”, në Brigadën e  56-të, të këmbësorisë në Bestrovë në  Repartin Ushtarak Nr. 5906, të Vlorës; nga shkurti 1967 deri më dhjetor 1967 ka shërbyer me detyrë “Komandant baterie”, në Brigadën e 56-të, të këmbësorisë në Repartin Ushtarak Nr.1535, Vlorë; nga dhjetori 1967 deri më dhjetor 1968 ka shërbyer me detyrë “Komandant Baterie”, në Brigadën e  Qendrës në Vlorë, në Repartin Ushtarak Nr.1535, Vlorë; nga shkurti 1968 deri më korrik 1973 ka shërbyer me detyrë “Shef Artilerie”, në Brigadën e Këmbësorisë së Vlorës, në Reparti Ushtarak Nr 8051, Vlorë; nga korrik 1973 deri më mars 1977 ka shërbyer me detyrë “Zv/Drejtor i shkollës së Mesme” të qytetit të Vlorës, në kuadër të zbatimit të trekëndëshit shumë të rëndësishëm për kohën: “Mësim punë prodhuese, edukim ushtarak”. Më tej për njëmbëdhjetë vjet nga marsi 1977  deri më nëntor 1988 ka shërbyer me detyrë “Istruktor operativ”, në Brigadën e Qendrës së Këmbësorisë,  në Reparti Ushtarak Nr 1535, Vlorë. Më tej nga nëntori 1988 deri më tetor 1990 ka shërbyer në Degën e Prapavijës me detyrë “Shef i Grup depove”, në Repartin Ushtarak Nr.1535, Vlorë, që ka qenë edhe detyra e fundit e tij. Në periudhën prej tre dekadash që shërbeu në FASH Bexhet Bejaj ushtria shqiptare brenda 72 orë vinte 750 mijë ushtarë “nën armë”, për 2-3 minuta nga shkelja e territorit shqiptar, hapej zjarri i parë me mitralozat e rëndë të cilësuara si “armë roje”, apo me anë të batalioneve që quheshin “art-mitraljer”, aviacioni luftarak kishte 240 mjete fluturuese në gatishmëri, 1300 mjete të blinduara, 7 korpuse e dy grupime operative dhe më vonë 22 divizione me 127 Brigada Këmbësorie; 34 regjimente të artilerisë kundërajrore, 4000 gryka zjarri; 240 raketa të Mbrojtjes kundërajrore. Që të gjitha me efektivitet të lartë dhe që nxirrte ushtar efektiv në front më shumë se 750 mijë vetë. E tillë ishte efektiviteti mbrojtës shqiptar, që Bexheti u rrit dhe u mbrujt me rregullsinë e kohës, j’ua transmetoi fëmijëve këtë rregullsi dhe ngeli kontribues përgjatë gjithë jetës. Me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes nr. 2154/1, datë 01.10.1990, ka dalë në rezervë në moshën 47 vjeçare. Gjatë karrierës ushtarake është vlerësuar me mjaft dekorata e urdhëra për punën e mirë sikurse ishte edhe urdhëri nr. 5560, datë 28.03.1977 që lidhet me dekorimin me Urdhrin “Naim Frashëri”, të Klasit II”. Me ardhjen e demokracisë është marrë me aktivitet privat pa harruar asnjëherë llogoret e jetës ushtarake, shokët e miqtë e shumtë, shokët e shahut, të sportit të futbollit dhe shëtitjet me miq e shokë dhe sensin e humorit e mirëkuptimit midis njerëzve. Deri kur u shua në mesnëntorin e këtij viti, edhe pas komplesitetit e sëmundjeve ngeli besnik i patundur i idealeve të LANÇ-it, idealit të gjakut të dëshmorëve si dhe dashamirës i zhvillimit dhe progresit të FASH, duke kultivuar tek fëmijët si prind shembullor njerëzillëkun, finkikërinë dhe dashurinë njerëzore.

Bëmë baba të të ngjaj – Ëndërr rinore e trashëguar

Oficeri model në Ushtri, në policinë e shtetit dhe në përditshmëri

Thënia proverbiale që shpreh mençurinë popullore shqiptare materializohet kaq bukur kur thotë: “Mos thuaj se vdes njeriu,/Se është fjalë çilimiu,/Tek i biri, jetëgjati,/Është fshehur i ati”, shkruante apostulli i shqiptarizmës Naim Frashëri. Kjo është katërcipërisht e vërtetuar, kur bijtë ndjekin rrugën e etërve, prandaj bijtë e etërit bashkëjetojnë gjithmonë sikurse thotë Naimi. Kështu ndodh dhe me Dashamirin djalin e madh të Bexhet Bejës. Edhe pse larg fshatit e qytetit deviza e fëmijëve të Bexhetit dhe orientimi jetësor ngeli i pandryshuar, Karbunari, Vlora, vendlindja: “Lot i rëndë vendlindje,/ Mall për baltën time,/ Vilar për besën e burrit,/ E shkrirë në kujtime..!”, Dashamiri ishte dhe ngeli model i oficerit të përkushtuar në Ushtri dhe polici, që ishte plotësisht i orientuar në jetë; i shkëlqyer në mësime në të gjitha shkollat si dhe shembullor e vizionar në jetë. Dashamiri ishte nga ata djem që punonte gjithë zgjuarsi dhe intuitë, që nuk ja “hante qeni shkopin”. Kështu i rritur në një ambjet të shëndetshëm dhe me prindër kërkues Dashamiri djali i madh i Bexhetit ndoqi shkollën tetë vjeçare “Ismail Qemali” në Vlorë. Kur adoleshenca kishte “parimin”: “ku rafsha mos u vrafsha”, ishte babai i tij, i cili e orientoi drejt shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, shkolla elitare e vendit, që nuk kishte tjetër të dytë të krahasueshme me të dhe askush nuk mund të matej me nxënësit e kësaj shkolle. Të studjoje si “Begs”/Skënderbegas, e kishe vënë jetën përpara në shkenca ekzakte, shoqërore, por sidomos në prakticitetin e jetës, sepse realisht ishte institucioni që të armatoste për jetën. Kështu në vitet 1978-1982 Dashamiri përfundon me rezultate të shkëlqyera SHMU “Skënderbej”, e më tej në vitet 1982-1985 edhe Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerave “Enver Hoxha”. Nuk i thonë kot: “Bëmë baba të të ngjaj, për të realizuar ëndërrat rinore të trashëguara nga i ati. Titullohet oficer me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes Prokop Murra, emërohet në Shkollën e Kuadrove rezervistë të Vlorës, në Bunavi dhe promovohet në detyrën e Sekretarit të Rinisë studentore ushtarake, një detyrë që shumëkush e lakmonte, por ishte “privilegj”, për më të shkëlqyerit dhe që kishin traditë “dyfekun”, mençurinë edhe oratorinë. Vitet do të rridhnin dhe kalon në detyrën e komisarit të kompanisë në Bunavi më 1988-1991. Ishte komandant e komisar, në krye të detyrave të vështira. Jeta e hodhi në vështirësi dhe e vuri në sprovë dhe në detyra jashtëushtarake, bile edhe kur Vlora vuante banditizmin e sulmit të vetvetes së 97-tës, Dashamir Bexhet Bejaj takohej me Romano Prodin, për të ardhmen e vendit. Ishin ditët më të vështira për kombin dhe elitarët e gjejnë veten në krye të mendimit dhe veprimit vlonjat. Kështu detyra sërish e thirri Dashamirin por këtë herë të punojë në strukturat më të përgjegjshme dhe më të rëndësishme të shtetit dhe nga viti 1997 deri më 2007, për dhjetë vjet shërbeu në Policinë e shtetit në Interpol, në antikrimin ekonomik financiar, antidrogë, dhe nga viti 2005 deri më 2007 kreu Akademinë e Policisë së Parisit në Francë, ndër akademitë më elitare policore e Francës dhe Europës. Nga viti 2007 e në vijimësi ka qenë në profesion të lirë si biznesmen duke e ndarë jetën midis Tiranës, Durrësit e Vlorës, por dhe duke rritur e mirëedukuar dy vajza në një familje të shëndetshme. Ai është i qetë, i matur, fjalëpak e punëshumë, me shokë e miq nga i gjithë vendi. Mbi të gjitha është karakteri i tij i fortë sepse siç thoshte Herakliti “karakteri i njeriut është fati i tij”. Dashamiri e shikon të ardhmen e familjes në tokën amëtare, në shpirtin e rilindur shqiptar, për një jetë më të mirë në Mëmëdheun e dashur.

Karbunari – vend i historisë, trimërisë, këngës dhe mençurisë

Gojëdhëna flet edhe për prejardhja e emrit “Karbunar” në disa variante, nga fjala e vjetër latine “carbone”/qymyr dhe i përket periudhes romake. Rajoni ku shtrihet Karbunari ishte shumë i pasur me dru si lisi, mbretja, ilqja, të përshtatshëm për prodhimin e qymyrit, që përdorej nga romakët në përpunimin e metaleve. Por mund të jetë edhe nga fjala arumune “carne bună” që do të thotë “mish i mirë”. Por varianti i parë, përkon dhe me një shënim të biografëve të konsullit romak Paolo Emili, i cili në ekspeditën e tij kundër Ilirisë dhe Maqedonisë shënon: ”Në vitin l67 pK. legjionet romake kaluan përbri Karbunarit për të shkuar matanë lumit Aoosa në marshimin tonë kundër Perseut të Maqedonisë”. Në këtë fshat me tradita lindën e u rritën edhe bijtë e bijat e fisit “Bejaj”, djemvë të këtij fisi u këndohet kënga siç u këndohet trimave. Në vitet e sundimit italian në Vlorë dhe rrethinat e saj në shtator të vitit 1915, babai i Sabriut, Pelivani së bashku më të vëllain Shefitin, u rrethuan në shtëpinë e tyre në Karbunar nga forca të shumta të karabinerisë italiane. Kur forcat pushtuese nuk i bindën dot që të dorëzoheshin dy vëllezërit dhe motrën e tyre Lefko filluan të shtinin kundër tyre. U zhvillua një betejë e vërtetë, për mbi dy orë. Gjatë luftimit u vra komandanti i forcave Italiane, që në muzeun e Vlorës është dokumentuar ceremonia mortore e Marshallit Italian. Por kur dy vëllezërit Shefiti dhe Pelivani tentuan të çanin rrethimin, pasi i kishin mbaruar fisheket, u kapen nga Italianët, dhe pas një “gjyqi” formal dënohen me pushkatim në Vlorë. Shefiti dhe Pelivani ngelën dëshmor të përjetësisë në periudhën e Luftës së Parë Botërore. Pelivani e kishte të shoqen me barrë dhe kur lindi solli në jetë një djalë që e quajtën Sabri, edhe pse nuk e njohu dot babanë eci në gjurmët e tij duke rënë edhe ai dëshmor më 1944 në Beun të Vlorës. Në historikun e trevave shqiptare vetëm trimave u këndohej këngë që trashëgohej në breza: “Ku do vesh more Marshall,/Do vete në Karbunarë,/Që të kap nja dy firar,/Një Shefit një Pelivan,/Pa dil o Marshall mënjanë,/të shoç Shefit Karbunarë,/Një manxer i fut në ballë,/Jemi zot për vatanë,/Dhe po na kapët të gjallë,/ Plumbin e presim në ballë,/Derë e madhe amanete,/Djemtë rritur në djepe,/I thonë thonë kushtrimit “lepe”..”. Një variant gojëdhëne thotë se komanda italiane ngarkoi një patrullë karabinierësh, me një marshall në krye për kërkimin dhe kapjen e Shefitit dhe Pelivanit, por në një moment ata diktohen dhe rrethohen në shtëpinë e tyre në Brushkaj dhe pas një shkëmbimi të gjatë të zjarrit pa rezultat, marshalli italian i bënë thirrje Shefit Bejaj (Selfo-i ati) se :”Po të ishte trim të dilte në shkallë e të matej me të”. Shefit del energjikisht qëllon në ballë marshallin dhe arrin të arratiset. Ngjarja vijon me plagosjen, kapjen dhe pushkatimin e tij dhe të vëllait, por trimat ngelen në këngë. Italianët i zhdukën eshtrat e dy vëllezërve që mos ktheheshin në vend peligrinazhi për trimat. Dekadat kaluan dhe një amanet i Mahmudesë, nënës së Sabriut dëshmorit të LANÇ-it, se nëse do lindëte djalë Hysnija, të ngrihej emir i Shefitit, të vrarë nga italianët në shtatorin e 1915-tës, sepse “ishte trim i çartur, që nuk e kish shokun në krahinë”. Në fakt ishte një amanet i mbajtur, sepse gjyshja ndërroi jetë në moshën 90 vjeçare, dhe Hysnieja lindi vërtetë djalin e dytë më 1974 dhe emri “Shefit” u ringrit si amanet në  kujtim të Shefitit të parë, djalë që do të bëhej talent në futboll dhe që me inicimin e Bexhetit dhe miqve të tij e ngrinte peshë stadiumin “Flamurtari”, duke treguar forcën, vitalitetin dhe energjinë e trashëguar nëpër breza. Kujtimet e krenarisë së familjeve shqiptare janë të gjalla për gjithë brezat. Ato mëkojnë brezat e rrëfejnë për të djeshmen me proverbën se “pa të shkuar s’ka të ardhme”.

Karbunari i historisë e traditës

Karbunari është një fshat në rrethin e Vlorës, i cili nga ana administrative bën pjesë në Bashkinë Selenicë. Më 15 gusht 1847 me anë të një letre Paria e Vlorës, Mallakastrës dhe Tepelenës i kërkuan ndihmë mbretit të Greqisë, Ottonit për luftën kundër Osmanëve, është fakt se ndër 89 firma e 47 myhyrë (unaza me emra personal), nga Karbunari ishin edhe firmat e Zeqir Xhafajt dhe Dule Zotos. Në kujtesën e fshatit rron shprehja: “Ç’tu desh dasma në Karbunar”!. Kjo lidhet me atë që në kohën e tanzimatit 1847 karbunarasit dhe fshatrat përreth nuk paguanin taksat, një problem i madh për shtetin Otoman, i cili vendosi t’i ndëshkojë. Vullnetarisht del një oficer i quajtur Bimbash Arapi i cili thuhet që, në eufori u shpreh: ”Më çoni mua në atë fshat harbutësh se do të di të merrem vesh me ta.” dhe nga ana tjetër kërcënon se:”jo vetëm do t’i shtrojë në dru e do t`u marrë taksat, por do t`u marrë edhe vajzën më të mirë që dua unë për grua”. Sigurisht që këto sinjale erdhën në fshat para Bimbashit. Plani u bë fshatçe. U armatosën dhe zunë pritën dhe kur erdhi Bimbash Arapi me 50-60 suvarinj kaluar në kuaj, djemtë e fshatit, gjoja për mirësjellje kapën për freri kalin e çdo suvariu/kalorësi dhe të Bimbashit. Tani ngjarja flet më bukur me këngë: “Karbunari buzë Vjosës, Mallakastra për karshi”/Që në kohërat e lashta, je dalluar për trimëri,/Të erdhi Bimbash Arapi me dhjetra suvari,/Ju rrebel që s’jepni taksat sot do jepni llogari,/Ndryshe do t`u marrë një vajzë t’më bëni damat(dhëndërr) të ri,/ Asnjë taksë e asnjë vajzë,/ s’ke Bimbash(major) me ushtri,/ Po ke shpat’ e jatagan,t’a gëzosh këtë krushqi,/ Si thoni o djemt’ e çeços, t’a bëjmë dhëndërr tani?/ Gati babë e s’po përtojmë t’ja dërrmojmë këta turi,/ Erth’ krekosur e inatçi, hangri dru për zili,/Ishte gjëmë që s’ishte parë,/iku përmbys mbi kalë,/Spitalin ç’e zu bimbashi,/s’kishte parë Karbunarë,/Yarbaji (nënkoloneli-eprori) kur e pa; ç’tu desh dasma o mavri…”! Qëndrimi i karbunarasve ndaj Pavarësisë ishte i vendosur pra Ismail Qemalit, ku spikat figura atdhetare e Ahmet Durmishit i arsimuar në Stamboll, i cili mori pjesë dhe organizoi takime e kuvende në Karbunarë e tërë krahinën për zgjedhjen e tij deputet si dhe ka qënë një nga shoqëruesit e Plakut të Vlorës brënda dhe jashtë Shqipërisë, duke e mbështetur atë edhe financiarisht. Kreu detyrën e zv/prefektit dhe me pas atë të prefektit të parë të Vlorës deri në gusht 1913. Mori pjesë aktive në mbrojtjen e shtetit të sapo krijuar nga synimet greke dhe të armiqve të brendshëm. Në LIB Karbunari dhe rrethinat u bënë vijë fronti e një rëndësie të dorës së parë në përballjen Italo-Austriake. Në këtë periudhë në zinxhirin e kodrave të fshatit u bënë punime të shumta fortifikuese, si tunele, rrugë, hendeklidhje etj. Komanda italiane ishte e pranishme me reparte të tëra ushtarake. Italianët edhe pse bënë arrestime e internime në Itali nuk e përkulën fshatin dhe shpirtin shqiptar. Ata internuan në Itali Sabri Tahirin, Arif Çaushin, Mehmet Selmainin e Barjam Arapin, nga të cilët u kthye gjallë vetëm Sabri Tahiri. Karbunari i vendosur në të majtë të rrjedhës së poshtme të lumit Vjosa, ndodhet 28 km në lindje të Vlorës dhe kufizohet me fshatin Rexhepaj, Koculin, Rromësin dhe qytetin Selenicë 7 km në perëndim. Përballë tij në forëm gjysëm hëne janë fshatrat e Mallakastrës së sipërme, Drizari, Poçemi, Klosi, Hekali. Ai shtrihet në kodrat Vishinë, Zotaj, Liçaj, Haskaj e Milarak i mbuluar me ullishte e pemishte. Në këmbët e tij, Vjosa “xanxare”, që ndryshon gjithmonë kufitare mes fshatrave fqinjë, sipas “tekave” të lumit, por që bijtë e bijat e Karbunarit janë të mirëkuptueshëm me forcën e natyrës, por gjithmonë në hasmëri me hasmin që u shkelte pragun. i tillë ishte dhe mbeti Karbunari vendi i dijes dhe dritës, i trimërisë dhe heroizmit, i pushkës dhe penës dhe që vetëm në fisin “Bejaj” ka tre dëshmorë dhe pasardhësit e tyre e ngritën më lart fisnikërinë e fisit të tyre.

Nga Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI