Maqedonia e Veriut do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në 12 prill të vitit të ardhshëm.

Gjatë kësaj periudhe pritet që detyrën e kryeministrit ta mbajë Ministri aktual i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski që nga data 3 janar, kur kreu i qeverisë Zoran Zaev do të dorëhiqet.

Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së të premtes në mbrëmje ku u caktuan edhe anëtarët e tjerë të kësaj partie në qeverinë teknike. “Dëshira ime është që sa më shkurt të jem në këtë pozitë që të kthehet sërish kryetari Zoran Zaev”, ka shkruar Spasovski në rrjetin social Facebook.

Spasovski do të jetë në krye të qeverisë deri në përfundimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill të vitit 2020. Formimi i qeverisë teknike 100 ditë para zgjedhjeve parashihet me Ligjin për qeverinë ndërsa në të merr pjesë edhe opozita me dy ministra, atë për punë të brendshme dhe Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale si dhe do të ketë katër poste të zëvendësministrave

VMRO DPMNE-ja ende nuk ka caktuar anëtarët e saj në këtë qeverie e cila detyrë parësore do të ketë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Për të shtunën pasdite është paraparë të mbahet një takim i liderëve të LSDM-së, VMRO-s dhe BDI-së, Zoran Zaev, Hristijan Mickovski dhe Ali Ahmeti për të diskutuar për modalitetet tjera të qeverisë. Zgjedhja e kryeministrit të ri pritet të bëhet më 3 janar, ditën kur edhe Zoran Zaev do të jep dorëheqjen.