Personat e prekur nga sëmundjet e zemrës, janë të rrezikuar ndjeshëm nga koronavirusi. Ky fakt është bërë i ditur nga OBSH, por është konfirmuar ditën e sotme edhe nga mjeku i njohur kardiolog, Sabit Brokaj.

Ai u shpreh se ky është një virus shkatërrues për qelizat muskulare të zemrës.

“Edhe virozat e zakonshme mund të japin probleme tek zemra. Raste të tilla kemi pasur unë dhe kolegët e mi me përvojë. Ky virus është shumë agresiv dhe shumë shkatërrues në qelizat muskulare të zemrës. Shumë persona me zemër më kanë pyetur për situatën”, tha mjeku.

Duke përcaktuar rrezikshmërinë e virusit për këta persona, mjeku foli edhe lidhur me masat e marra për parandalimin e pandemisë.

“Mendoj se mund të ketë masë lehtësuese. Nuk ke pse paralizon aktivitetin ekonomik në tërësi. Në periferi mund të bësh lëshime. Lëshimet duhet të jenë nga ana tjetër më të matura”, tha Brokaj.