Sot bëhen 21 vjet nga masakra e Rezallës së Skenderajt, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhdukin.

Një pjesë e trupave u gjenden në Rudnicë të Rashkës dhe iu dorëzuan familjarëve. Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj.

Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë. Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përkujtuar 21 vjetorin e masakrës së Rezallës, masakër në të cilën u vranë mizorisht 98 martirë.

Kreu i Nismës Limaj, ka thënë se kjo masakër është një nga masakrat më të rënda mbi popullatën civile shqiptarë nga ana e forcave ushtarake e policore serbe.

Tutje Limaj ka thënë se, 21 vite pas kryerjes së kësaj masakre makabre, kryerësit e këtyre krimeve ende nuk kanë marrë ndëshkimin nga ana e institucioneve të drejtësisë.

Qeveria e Kosovës nuk duhet lënë gurë pa lëvizur derisa të gjenden kryerësit e këtyre krimeve dhe ta marrin dënimin e merituar”, ka shkruar kreu i Nismës, Fatmir Limaj në llogarinë e tij në ‘Facebook’.

Postimi i plotë i Limajt:

“Sot 21 vite më parë, në Rezallë, forcat ushtarake e policore serbe kryen një nga masakrat më të rënda mbi popullatën civile shqiptare. Në 21 vjetorin e kësaj masakre, kujtojmë 98 martirët, të cilët u vranë mizorisht vetëm pse ishin shqiptarë.

Edhe pas kaq vitesh, kryerësit e këtyre krimeve makabre ende nuk kanë marrë ndëshkimin nga ana e institucioneve të drejtësisë. Qeveria e Kosovës nuk duhet lënë gurë pa lëvizur derisa të gjenden kryerësit e këtyre krimeve dhe ta marrin dënimin e merituar.

Lavdi e përjetshme të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit!”

Gjithashtu edhe kreu i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se masakra e Rezallës që ka kryer agresori serb ndaj shqiptarëve i ka dhënë drejtim të ri luftës sonë çlirimtare.

“Sot, në këtë situatë emergjente, në pamundësi për të bërë homazhe tek kompleksi i varrezave në Rezallë kujtojmë 94 të rënët e Masakrës së Rezallës, dëshmorë e martirë të rënë për Kosovën tonë të shenjtë, për lirinë që sot e gëzojmë”, ka shkruar Jashari në Facebook. “Masakra e Rezallës, bashkë me masakrat tjera që agresori serb bëri mbi civilët shqiptar i dhanë drejtim të ri luftës sonë çlirimtare, duke bindur shtetet e botës demokratike që Serbia po kryente gjenocid në Kosovë dhe se lufta e UÇK-së ishte luftë në mbrojtje të popullit e tokës sonë dardane”.