Pas lojës së rrezikshme të rrëzimit të qeverisë në mes të pandemisë, të tjera lojëra po luhen në terrenin e politikës kosovare. Apetitet për pushtet dhe interesat personale po shfaqen mbi gjithçka tjetër. Politikanë të papërgjegjshëm mund të vazhdojnë gjimnastikat politike, në funksion të përfitimeve për vete dhe partitë e veta. Por, duhet ta marrin edhe përgjegjësinë për të paguar faturat për dëmin që mund të shkaktohet.

Imer Mushkolaj

Presidenti Hashim Thaçi ka vendosur ta çojë tutje procesin për krijmin e një qeverie të re pa zgjedhje, ndërkohë që partia fituese po kundërshton këtë praktikë. Kriza politike në vend po shkon duke u thelluar, por veprimet e një pjese të skenës politike ngjajnë me veprime në një situatë normale.

Gjithçka po ndodh në një krizë globale pandemie, kur Kosova numëron rreth njëzet të vdekur. Gjithçka po ndodh në një situatë të rënduar ekonomike e sociale, në një situatë pasigurie se çfarë do të ndodh javët e muajt në vazhdim.

Por, të qarta po i kanë veprimet presidenti dhe partia e dytë në vend, LDK’ja, e cila tashmë ka nominuar Avdullah Hotin si mandatar për krijmin e qeverisë së re.

Paraprakisht, ekspertë të fushës kanë thënë se me thirrjen që presidenti ua ka bërë partive për të nisur kosultat rreth krijimit të qeverisë së re pa partinë fituese, ka nisur shkatërrimi i rendit kushtetues të vendit. Sipas tyre, pa konsumimin e të drejtës së partisë fituese për ta formuar qeverinë, ose pa refuzimin e saj për të dërguar propozimin për mandatarin, presidenti nuk mund ta ndërmarrë një hap të tillë. Por, Thaçi tashmë ka vepruar dhe e ka mandatuar LDK’në, kurse LDK Hotin.

Një ndër prioritetet e kabinetit të ri qeveritar Hoti ka thënë të jetë përballja me Covid-19. Pra, përfaqësuesi i partisë që inicoi mocion mosbesimi ndaj qeverisë mu në mesin e krizës shëndetësore, tash po thotë se e ka prioritet përballjen me të. Po të ishte kështu, atëherë mocioni do të shtyhej pas pandemisë e nuk do të ndodhte rrëzimi i qeverisë në një kohë shumë të papërshtatshme. Po të ishte kështu nuk do të luheshin lojëra të tilla të rrezikshme me jetën e qytetarëve. Të qytetarëve, të cilëve partia e Hotit dhe partitë tjera që kanë qenë në qeverisje thuajse dy dekada nuk kanë aritur t’ua sigurojnë një sistem shëndetësor normal dhe t’iu ofrojnë shërbime dinjitoze.

* * *

Ka juristë që thonë se, duke krijuar një qeveri pa partinë fituese të zgjedhjeve, krijohet një precedent i rrezikshëm, sepse i humb kuptimi garës demokratike për të dalë i pari në zgjedhje. Gjykata Kushtetuese nuk e ka sqaruar situatën e krijuar, pasi që nuk ka ende lëndë për të shqyrtuar. Por, përtej kësaj, situata e krijuar mund të mos jetë lehtë e menaxhueshme.

Siç po del të mos jetë i tillë as vazhdimi i dialogut për aritjen e marrëveshjes me Serbinë, me LDK’në në krye të qeverisë.

Kundërshti të thella janë shfaqur teksa janë krahasuar deklaratat e dy zyrtarëve të rëndësishëm të LDK’së. Përderisa në kohën kur ishte zv.kryeministër Avdullah Hoti thoshte se nëse taksa dhe reciprociteti hiqen, menjëherë do të udhëtonin me Albin Kurtin në SHBA dhe, si qeveri, do të vendosnin për marrëveshjen me Serbinë, Kujtim Shala tha këto ditë se e kanë pyetur administratën amerikane nëse kryeministri i vendit do të jetë në krye të delegacionit dhe përgjigjja kanë qenë: jo.

Nëse është kështu, atëherë del se Hashim Thaçi do të vazhdojë të udhëheq dialogun, edhe pse Kushtetuesja e ka bërë të qartë se qeveria e ka këtë kompetencë, kurse kryeministri do t’i subordinohet presidentit. Nëse është kështu, atëherë gjithçka do të dalë një mashtrim i madh, në vazhdën e plot e plot mashtrimeve që klasa politike ua ka servuar qytetarëve gjatë gjithë këtyre viteve.

Prioritet tjetër i qeverisë së re, po sipas të nominuarit për kryeministër, është rregullimi i marrëdhënieve me SHBA. Se si do të arrijë LDK ta bëjë një gjë të tillë me partitë që para pak muajsh i akuzonte për prishjen e urave të bashkëpunimit me SHBA’në e BE’në mbetet të shihet.

* * *

Politika në Kosovë karakterizohet me inate e mosdurushmëri, me mashtrime e hipokrizi. Por, kur këto shfaqen në situata si kjo tash, bëhen edhe më të rënda.

Frustrimi ndër qytetarë mund të rritet çdo ditë, sepse apetitet për pushtet dhe interesat personale po shfaqen mbi gjithçka tjetër. Në një situatë pasigurie ekonomike, sociale e shoqërore, nuk është e vështirë të mendohet se çfarë mund të ndodh, po që se ky frustrim nuk frenohet.

Politikanë të papërgjegjshëm mund të vazhdojnë gjimnastikat politike, në funksion të përfitimeve për vete dhe partitë e veta. Por, duhet ta marrin edhe përgjegjësinë për të paguar faturat për dëmin që mund të shkaktohet. Vullneti i qytetarëve është më i rëndësishmi dhe nuk mund të tjetërsohet. Pavarësisht aventurave të rrezikshme e të pamoralshme.