Në kulmin e pandemisë, në Europë thuajse ndalën shitjet e makinave për shkak të masave kufizuese dhe bllokimit të prodhimit në fabrika. Numri i makinave të reja të regjistruara në sistem ra me mbi 96 në Itali dhe Spanjë.

Prodhuesit e makinave duket se janë industria që i ka ndjerë më fort pasojat e masave strikte të izolimit për shkak të pandemisë.

Sipas Shoqatës së Fabrikuesve Europianë të Makinave, në muajin prill u ul mesatarisht me 76,3 për qind numri i mjeteve të blera apo të regjistruara rishtas në sistem, në nivel vjetor.

Në kulmin e pandemisë, kur qytetarët europianë u urdhëruan të qëndrojnë rreptësisht në shtëpi dhe kur në gjithë kontinent ishin mbyllur distributorët e automobilave, shitjet ranë nga 1,1 milion njësi vitin e kaluar në vetëm rreth 270 mijë njësi në prill 2020.

Blerjet e reja të makinave pësuan rënie dyshifrore në secilin prej 27 vendeve anëtare të BE-së.

Italia dhe Spanja, njësoj si me bilancin e pandemisë, regjistruan rëniet më të forta, përkatësisht me 97,6 dhe 96,5 për qind, nga viti në vit.

Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, që nuk është më pjesë e BE-së, shitjet e makinave ranë me mbi 97 për qind, në Gjermani ky ndryshim varioi në minus 61 për qind dhe në Francë në minus 89 për qind.

Për sa i përket markave të makinave, shitjet e ulëta në këtë kohë krize kanë rezultuar të dëmshme veçanërisht për prodhuesit gjermanë, francezë e më pak për markat e njohura aziatike.

Kancelarja Angela Merkël vendosi muajin e kaluar ta rihapë industrinë e makinave por pa propozuar një plan subvencionimi për t’i ardhur në ndihmë.

Franca ka paralajmëruar një paketë financiare për prodhuesit e vet brenda muajit të ardhshëm.

Ky sektor në gjithë Bashkimin Europian punëson rreth 14 milionë persona.