“Niveli i ujit do arrijë deri 3 metra lartësi, largohuni!” Digat shpërthejnëpas rreshjeve të dendura

Reshjet në shtetin amerikan të Miçiganit kanë shkaktuar një katastrofë natyrore. Kanë shpërthyer dy diga, duke përmbytur qytezat qendrore të vendit. Disa qyteza amerikane në shtetin e Miçiganit kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Mijëra banorë në zonat qendrore të vendit u detyruan të evakuohen pasi dy lumenj lokalë u frynë nga reshjet duke tejmbushur rezervuarët e digave.

Me kalimin e pengesave dhe shpërthimin e digave, ujërat vërshuan drejt zonave të banuara drejt qytezës së Midlendit me 40 mijë banorë.

Guvernatorja e vendit paralajmëroi të martën se niveli ujit mund të arrijë deri 3 metra lartësi.

“Presim që lartësia e ujit të arrijë një nivel historik. Është e paimagjinueshme që po e përjetojmë këtë situatë në mesin e një pandemie globale, por të bëjmë më të mirën, të mbrojmë veten dhe ruani distancat nëse qëndroni te shtëpia e miqve apo të afërmve.”

Prej fundjavës, në shtetin verior të Amerikës vijojnë të bien shira të dendur, të cilat kanë krijuar përmbytje edhe në qytetin e madh të Çikagos.

Ndërkohë dy digat që nuk funksionuan të martën ishin ndërtuar në vitet 1920.

Autoritetet i kishin revokuar licensën operatorit të njërit prej tyre për shkak të amortizimit, ndërsa të dyja veprat ishin në proces shitjeje.