Pandemia e Covidit ka pasur impakt në ekonominë globale, ndërsa izolimi i vendeve e avancuara kanë dëmtuar veçanërisht shtetet në zhvillim. Banka Botërore parashikon që 60 milionë persona më shumë do të jetojnë sivjet në varfëri ekstreme.

Kriza e koronavirusit pritet të shtyjë 60 milionë njerëz nëpër botë drejt varfërisë ekstreme.

Sipas parashikimeve të Bankës Botërore, pandemia dhe izolimi i ekonomive më të avancuara ka për të shkaktuar një recesion të thellë që do e tkurrë me gati 5 për qind ekonominë e globit.

Për pasojë, miliona njerëz do përballen me mungesë të mjeteve më të nevojshme për jetesë, duke jetuar me më pak se 1,9 dollarë në ditë.

Presidenti i Bankës Botërore, Devid Malpas, thotë se situata me koronavirusin do zhbëjë përpjekjet e tri viteve të fundit për të zbutur varfërinë globale.

“Për t’iu rikthyer rritjes, objektivi ynë duhet të jetë reagimi i shpejtë, fleksibël ndaj emergjencës shëndetësore, t’u sigurojmë para dhe mbrojtje të varfërve, të ruajmë sektorin privat dhe të forcojmë rezistencën dhe rimëkëmbjen ekonomike,” njoftoi organizata ndërkombëtare.

Për 15 muajt e ardhshëm, Banka Botërore pritet të financojë programe emergjence në 100 shtete që përfaqësojnë 70 për qind të popullsisë globale.

160 miliardë dollarë do të ofrohen grante dhe kredi me interesa të ulët për vendet e varfra të goditura nga kriza që të forcojnë sistemet e shëndetësisë, programet për mbrojtjen sociale, ruajtjen e vendeve të punës dhe për prokurimin e pajisjeve mjekësore.

Shumica e 100 shteteve që do përfitojnë nga financimi ndodhen në Afrikën Nënsahariane apo në vendet në konflikt.

Koronavirusi i ri në botë ka infektuar rreth 5 milionë persona e ka vrarë mbi 320,000 prej tyre.