Zyra Kombëtare e Auditorit, gjatë auditimit të institucioneve shtetërore dhe agjencive qeveritare në vitin 2019, ka nxjerrë në pah parregullsi të mëdha në menaxhimin e financave publike.
Ndër gjetjet tjera, më e veçanta është ajo se në institucionet e Kosovës ka persona që nuk shkojnë fare në punë, por marrin paga rregullisht.
Këtë e ka konfirmuar Drejtori i Zyrës Kombëtare për, Besnik Osmani. Ai ka thënë se 650 deri 700 punëtorë janë paguar pa kryer ndonjë punë.
“Ne kemi diku rreth 650 deri 700 zyrtarë të cilët, sipas raporteve tona, nuk janë në vende të punës dhe për të cilat ka pasur përpjeke të vogla nga ana e punëdhënësve nga linja ministrore për t’u dhënë detyra të caktuara dhe ne konsiderojmë se janë paga të cilat te cilat nuk janë në kundërvlerë per shërbimin që e kanë bërë dhe për çka ata kanë kontrata”, ka thënë Osmani për T7.
Ai ka bërë të ditur se pagesa të tilla të parregullta janë evidentuar në tetë ministri.
“Bëhet fjalë për tetë ministri të qeverisë sonë dhe bëhet fjalë për 1.4 milionë euro“, ka thënë ai
Osmani ka thënë se Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë rekomandime specifike për këtë çështje dhe pret që këto parregullsi të adresohen nga institucionet përkatëse.
Sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Ministria e Arsimit i ka shpenzuar mbi 134 mijë euro për 31 punëtorë që janë paguar pa meritë; Ministria për Komunitete dhe Kthim i ka paguar mbi 98 mijë euro për 21 të punësuar; Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka paguar 92.708 euro për paga të 18 të punësuarve; Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i ka harxhuar 124.874 euro për 25 punëtorë; Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka harxhuar 163.198 euro për 36 punëtorë; Ministria e Kulturës i ka harxhuar mbi 150 mijë euro për 31 punëtorë; Ministria e Infrastrukturës ka paguar 156.151 për 32 punëtorë; Ministria e Administratës Publike i ka paguar mbi 100 mijë euro për 20 punëtorë.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, të gjitha këto shuma janë shpoenzuar për zyrtarë të qeverisë që kanë marrë paga, por nuk kanë qenë të angazhuar në punë.
T7 ka mësuar se këto paga u janë thënë punëtorëve të komunitetit serb që kanë qenë pjesëtarë të streukturave paralele serbe në Kosovë, të cilët janë sistemuar në institucionet e Kosovës me Marrëveshjen e Brukselit.
(r.m.)