Botuar në revistën ‘Tirana Youth Voice’
Nga fundi i humnerës ,të ligë si demonë,
Shkatërrojnë pa mëshirë,të padukshëm,të heshtur.
E pashpresë mbetet gjithmonë,
E keqja që gërryen, përjetësisht e etur.
Zërat, të gërthiturat më nuk dëgjohen,
Ofshama të dhimbjes jetën kanë kapluar,
Zinxhirët ogurzi gjithnjë më shumë ngushtohen,
Hallkat të mbysin, deri sa gjithçka ka mbaruar.
Nota shpresë si paradoks brënda nesh,
Dhe në fund të humnerës krijojnë melodi,
Thyejnë heshtjen,diçka sjellin në vesh,
Mendojmë të pamundurën si aktor në parodi.
Qenie humane,kalimtare në këtë planet,
Subjekt i një pikture bardh e zi,
Herë i mposhtur, fatkeq dhe i shkretë,
Herë fatlum, i plotësuar, por i përkohshëm në gjithësi.
Për këtë qenie gjithçka është rezervuar,
Tinguj shprese dhe dhimbje e heshtur,
Është në dorën tonë për të jetuar,
Është në dorën tonë jetën për ta tretur.
Në natën më të errët do gjesh dhe dritë,
Në momentin më të hidhur do mund dhe të buzëqeshësh,
Udhërrëfyesi i së drejtës do të të vijë një ditë,
Sado që po vuan mos u dorëzo ja vlen ta presësh!
•Desareta Lleshaj
Ish maturante e gjimnazit Ismail Qemali