Botuar në revistën ‘Tirana Youth Voice’
Argen Bajrami Student me Spektrin Autik në Fakultetin e Arteve, viti i parë.
Argeni është djali, i cili mes mijëra sfidash në jetë për të qenë si gjjthë të tjerët, ka mundur ti mësojë shoqërisë që sido që janë rrethanat “Besimi ja del të zbardhë rrugën”.
Egla, nëna e Argenit shprehet se, është dashur një punë e madhe me të. Në fakt jo tamam punë, por më shumë përkushtim. Kam jetuar me Autizmin që kur e kuptova që ai jeton brenda birit tim të vetëm.
-Ju thoni a ka qenë e lehtë?
-Jo! Ka qenë drithëruese, çdo ditë unë zgjohesha me shpresën për të parë ndryshim tek sjellja e tij.
-Si ka qenë fëmijëria e Argenit?
Për fatin e tij të mirë, është përfshirë në një shoqëri që e donte, pasi Argeni është një djalë i dashur dhe i afrueshëm, pavarësisht se me të rritur i është ‘mbyllur dera’. Nuk është e thjeshtë të thyhet zemra e nënës. Zemra ime thyhet sa herë që njerëzit e shohin atë si të padëshiruar në shoqërinë e tyre. Ndaj unë kam punuar por edhe kam luftuar që djali im të jetë i dashur për të tjerët dhe të shihet si i njëjtë mes tyre.
-Na rrëfe pak ndër të tjera për mënyrën se si arriti të jetë pjesë e studimeve të larta?
Në fakt unë kam punuar shumë që shkolla e tij t’i qëndrojë pranë dhe ai pranë shkollës, sepse integrimi dhe jeta sociale atë e bëjnë njeri më të mirë, më të dashur dhe të njëjtë me të tjerët. Pas një pune të gjatë e këmbëngulëse, Argeni arrin të ulet në auditoret e universitetit. Duke qenë se ai studion për Kitarë fitoi studimet në Akademinë e Arteve, si një talent që buron prej lindjes. Ai ka lindur i talentuar në muzikë, këndon dhe vë shpirtin në këtë fushë.
-Çfarë dëshirash ka Argeni për jetën?
Si të gjithë të rinjtë, dëshira me ngjyra. Janë pikërisht dëshira të tilla që të bëjnë të kuptosh që bota është e bukur e duhet jetuar me fuqi. Tirana është strehëza jonë e bukur që na ofron mundësi të tilla.
-Çfarë mundësish gjen ai në Tiranë?
Falë korsive të biçikletave kudo në kryeqytet, të cilat na garantojnë siguri, Argeni lëviz lirshëm në qytetin e Tiranës. Kjo na jep shpresë dhe besimin që ai dalëngadalë po ja del të aktivizohet dhe integrohet në shumë aspekte të jetës.
Nga Megi Latifi