Botuar në revistën ‘Tirana Youth Voice’
Unë quhem Jonada Shukarasi dhe jam nxënëse e vitit të tretë në gjimnazin “Partizani”. Në kohën time të lirë më pëlqen të shkruaj, të lexoj dhe të mësoj gjuhë të huaja. Jam e apasionuar pas çështjeve të të drejtave të njeriut dhe aktivizmit, për të cilat kam marrë edhe njohje ndërkombëtare nga organizata “UN Women”.
Rrugëtimi më i rëndësishëm i jetës sime ka filluar rreth dy vite më parë, kur unë mora pjesë për herë të parë në kompeticionin e Technovation dhe bashkë me dy shoqet e mia krijuam grupin “D3c0ders”. Atëherë nuk e dija se ç’përmasa do të merrte ky rrugëtim.
Duke u rritur në një shoqëri që vazhdimisht i trajton gratë dhe vajzat si gjini inferiore dhe refuzon t’i shohë ato si të barabarta; që u mohon atyre edhe disa të drejta themelore e që shpesh herë i detyron të bëhen skllave të fatit të tyre, e së bashku vendosëm që të ceknim temën e dhunës me bazë gjinore në Shqipëri. Kjo zgjedhje mua më erdhi krejt natyrshëm pasi prej kohësh merrja pjesë në aktivitete që trajtonin pabarazinë gjinore dhe ishte një tematikë që e kisha shumë përzemër.
Aplikacioni që u krijua si fryt i punës së palodhur dhe netëve të tëra pa gjum ishte ‘GjejZá’. Ky aplikacioni synon të ndihmojë gratë e dhunuara nëpërmjet tre hapave; indetifikimi i problemit, fuqizimi i përdoruesit dhe mundësia për të ndërmarrë veprime konkrete. Në një kohë të shkurtër Gjejzá fitoi mbështetjen e një sërë organizatash, biznesesh si dhe të institucioneve qeveritare.
Vazhdimësinë e kësaj eksperience e kisha imagjinuar vetëm në ëndërr. Udhëtimi im nisi nga Tirana deri në San Francisko për finalen e madhe të Technovation. Një surprizë akoma më e madhe ishte ftesa e Departamentit të Shtetit Amerikan për të prezantuar GjejZá në Washington D.C. Konkurrenca në “Silicon Valley” ishte e fortë dhe përgjegjësia e madhe, sepse unë nuk isha më thjesht pjesë e “D3c0ders”, por përfaqësuese e mbarë Shqipërisë dhe sigurisht e shkollës “Partizani”, të cilën doja ta bëja krenare. Emri i GjejZá kumboi në sallë kur skuadra ime u shpall fituese e çmimit të parë. Ende nuk e di nëse kam qarë nga gëzimi apo nga tronditja. Ishte e pabesueshme!
Ndërkohë që GjejZá tashmë është lançuar, puna vazhdon për të përhapur dhe masivizuar aktivitetin e saj, në mënyre që t’i vijë në ndihmë sa më shumë grave dhe vajzave shqiptare të cilat janë viktima të dhunës.
Kjo ekperiencë më mësoi se çdo të thotë të jesh aktiviste, të përpiqesh të lësh gjurmë në komunitet duke e përmirësuar atë. Më mësoi se me punë, pasion dhe përkushtim, idetë e vogla kthehen në vepra të mëdha. Tani teknologjia nuk është më thjesht një kompjuter apo një celular, por një mjet për ndryshim, nëpërmjet të cilit unë mund të fuqizohem dhe të fuqizoj vajza të tjera.
Megjithatë, pasionet e mia shkojnë përtej teknologjisë dhe ndonëse GjejZá nuk do të lihet me kaq, unë kam zgjedhur një rrugë krejt ndryshe për të ardhmen time. Vetëm një muaj më parë u pranova në Universitetin Harvard, ku do të studioj shkenca politike me bursë të plotë. Ëndrra ime më e madhe ka qenë gjihthmonë të studioj drejtësi dhe vazhdoj të jem e vendosur të ndjek këtë rrugë pas Harvardit.
Kam gjetur gjatë këtyre tre viteve një mbështetje të jashtëzakonshme nga stafi akademik dhe bashkëmoshatarët e mi në Partizan, të cilët i quaj me plot gojë “familja ime e dytë.” E di se jeta ime sapo ka filluar, por kam kuptuar se çdo ekperiencë vlen dhe çdo gjë mund të arrihet nëse e do dhe punon fort për të.
Jonida Shukarasi