Botuar në revistën ‘Tirana Youth Voice’
Vështroj,
thellë vështroj muzgun që rrethon këtë sallë të panjohur.
Tentoj,
tentoj të kuptoj nëse ngjyrat ende,
kanë mbetur në këtë letër të zhubrosur.
Sa dhimbje,
teksa hije të zbehtasi një shishe vere
nën dritën e hënës së plotë thyhen,
shkatërrohen, rrëzohen, dërrmohen.
E teksa dua të shoh, të ndjejë
ngjyrat e këtyre hijeve që si drita kalojnë përtej syve të mi
s’shoh gjë tjetër, veçse një pasqyrim,
një shëmbëllim të vyshkët të një
shpirti të thyer,
sysh të qarë,
nuancë e vrarë.
Një shëmbëlltyrë e shkretuar në kubin e qelqtë që këtë pikturë të errët rrethon.
Një pikturë e zezë
ku boja në të kullon,
nën ndriçimin e një qiriri që siç duket i jep kësaj vepre arti e cila duhet të shkëlqejë e të jehojë;
vetëm një vend të ftohtë në mesin e kësaj salle plot hije statike që drejt meje vështrojnë.
Dorën zgjas dhe ndihmë kërkoj,
por më nuk flas
se të gjithë janë
nevojtarë.
Sytë e tyre shohin,
por ata janë vrarë.
Me harmonikën, kush s’mund ta luajë.
E me tingujt e saj,
pusin e jetës ta cektojë,
ti përcjellë një drithmë qenies sime,
e flokët të më ledhatojë
Ky tingull duket sikur ishte veçse një ëndërr e shoh,
e dua, thellë brenda meje jeton,
por i humbur përjetësisht në gypat më të errët
të së qenurit rënkon.
Ngadalë kokën kthej
e vetveten mprehtë si tehu i një thike shoh, ndërsa tre fletët e tjera të kubit një pikturë të zezë shohin,
që në ekspozitë qëndron.
E hije të zbehta si drita në sytë e një të vuajturi në shtratin e vdekjes,
ngadalë, ngadalë pranë kalojnë.
Presin shpëtimin;
Ndoshta një zog, ndoshta një zemër që të digjet e të ndriçojë gjithçka.
Por deri atëherë, kubi i xhamit do të jetë aty, hijet e çfarëdo gjëje tjetër, sytë e tretur të mitë,
drita e firuar e qiririt.
Do të mësojmë të jetojmë së bashku, por do të jetojmë të vdekur.
Do të jetojmë me trup, ama,
shpirt e zemër të heshtur.
E unë përsëri do të vështroj,
vështroj…
Armand Rroshi, ish maturant i gjimnazit “Ismail Qemali”