Botuar në revistën ‘Tirana Youth Voice’
Prej 10 vitesh familja ime ka vendosur që jetesën ta ndërtoj sërish në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe, paralelisht me angazhimet akademike kërkoja dhe mënyra alternative për të shpenzuar kohën, ku me rastin e pandemisë u bë dhe më e vështirë për të gjetur diçka të vlefshme për të shpenzuar kohën, përveç studimit. Hobi im është dhe krijimtaria e bizhuterive, pasi është një formë arti në të cilën aksesohet lehtësisht, art i cili bëhet pjesë e përditshmërisë sonë, duke i veshur.
Kështu lindi ideja e Dumb Jewelry, biznesit tim të vogël me bizhuteri artizanale të përgatitura nga vetë unë në studion time modeste. Dumb Jewelry është frymëzuar nga fëmijëria, ëndrrat dhe nga një botë ku çdo gjë është e thjeshtë dhe e buzëqeshur. Gjithçka është e përgatitur me dorë për të qenë sa më e veçantë për këdo që i vendos.
Për realizimin e bizhuterive kam gjetur një material që është relativisht i ri në tregun e bizhuterive në Shqipëri, i quajtur Polymer Clay. Është material i ngjashëm me argjilën tradicionale, por ka një formulim të ri që e bën më fleksibël dhe me ngjyra. Pasi ju jap formën që përkon me design-in që kam skicuar, i pjek në furrë dhe më pas i montoj me anë të pjesëve lidhëse të bizhuterive për ti dhënë formën e tyre përfundimtare dhe për të qenë gati për ti vendosur!
Dumb Jewelry nisi si ide në kulmin e pandemisë së Covid-19 dhe u formëzua më konkretisht në gusht, ku lëvizja e materialeve me anë të postës ishte më e favorshme. Në këto 5 muaj kam marrë një feed-back shumë pozitiv nga miq, familjarë dhe dashamirës të artit që bëj me anë të rrjeteve sociale, ku dhe promovoj punimet e mia artistike. Me anë të tij kam arritur të siguroj dhe ca para xhepi, për të mirëmbajtur kafshët e mia shtëpiake. Por, emocioni më i bukur për një artist është të shohë veprën e tij të ekspozuar, ndaj dhe unë kur takoj dikë në rrugë, që ka vendosur një nga aksesorët që kam punuar unë, më jep një kënaqësi tejet të madhe dhe më bën të ndihem e vlerësuar për artin që bëj.
Të jesh studente mbart përgjegjësitë në aspektin sesi formohesh si profesionist në degën që ke zgjedhur, por të kesh mundësinë që të zhvillosh një hobi tëndin dhe ta kthesh në një mikro-biznes është diçka që përveç kënaqësisë që përfiton duke e ushtruar atë, përfiton edhe përvojë në shumë fusha të tjera, të cilat mbase nuk do kishe patur mundësinë ti zhvilloje më parë. Me hapjen e Dumb Jewelry jam njëkohësisht dizenjuese dhe ideuese bizhuterish, punëtore, drejtore e përgjithshme e fotografisë, fotografe e produkteve, postiere, ekonomiste, pronare, paketuese, drejtore e marketingut, graphic designer, menaxhere e rrjeteve sociale, agjente e shërbimit ndaj klientit e shumë të tjera. Ndaj, të zhvillosh hobin tënd dhe të kushtosh rëndësi vërtetë tek ajo që je i/e mirë, mund të bëhet një nismë, e cila do të të shërbejë në më shumë gjëra sesa kishe menduar!
Ana Maria Çibuku,
Fakulteti i Mjekësisë Veterinare,
Universiteti Bujqësor i Tiranës.