Botuar në revistën ‘Tirana Youth Voice’
Më kujtohet dita ime e parë si studente e porsa ardhur në kryeqytetin e zhurmshëm e të madh për sytë e një vajze nga Berati. Tirana impononte pasiguri, e në të njëjtën kohë ishte e mbushur me mundësi zhvillimi teksa vibronte prej energjisë dhe aspiratave tëmijëra të rinjve porsi unë. Tirana ka qenë e do të vijojë të mbetet e tillë; katalizatori i zhvillimit të vendit dhe kryeqendra e ndjekjes sëëndrrave, dëshirave dhe aspiratave të shqiptarëve anembanë. E sot, 20 vite më vonë, jam shumë mirënjohëse për mundësinë që Tirana jonë më ka dhënë për të qenë pjesë e zhvillimit të përbashkët, duke dhënë kontributin tim modest përmes angazhimit në bashkinë e kryeqytetit.
Bashkia e Tiranës prej vitesh ka patur në fokus përfshirjen e të rinjve në jetën sociale, ekonomike e politike të qytetit dhe nëproceset e vendim-marrjes të cilat na ndikojnë të gjithëve, duke uzhvilluar politika, programe e projekte me fokus tek arsimi, punësimi, sipërmarrja rinore, inovacioni, arti, kultura e sporti.
Më shumë se target i politikave tona, të rinjtë kanë qenë partnerë e bashkëudhëtarë të përpjekjeve tona për të arritur tek ata dhe komuniteti. Përgjatë punës time në këtë fushë gjithëpërfshirëse, ndërveprimi me të rinjtë më ka treguar potencialin e tyre të paimagjinueshëm dhe aftësinë që ata kanë për të sjellë realisht ndryshimin që nevojitet. Në 16 muajt e fundit, vendit tonë iu desh tëpërballej me një tërmet shkatërrimtar dhe njё pandemi e cila ka ndikuar në ҫdo aspekt të punës e jetës tonë. Për Bashkinë Tiranë tërinjtë ishin nje bekim i madh, i cili mori trajtën e bashkëpunëtorëve të palodhur në përpjekjet tona post-tërmet e përgjatë pandemisë. Mjafton të kujtoj fushatën e solidaritetit “Adopto një gjyshe”, përgjatë së cilës të rinjtë e kryeqytetit ofruan kohën e tyre në shërbim të mijëra të moshuarve të izoluar në shtëpi, teksa sillnin pazaret, ushqimet dhe mjekimet e nevojshme, por mbi të gjitha buzëqeshjet, mirësinë dhe rrezet e shpresës.
Tirana është kaq me fat që ka të rinj plot vullnet dhe aktivë të cilët kthejnë në realitet shumë nisma drejt përmirёsimit të jetës së komunitetit, përfshirë këtu: mbjelljen e pemëve, përdorimin e korsive të biçikletave, iniciativat për përmirësimin e cilësisë së ajrit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, e sa e sa të tjera. Ndihem e lumtur që takoj e bashkëpunoj çdo ditë me të rinj të cilët janë modele suksesi, teksa Tirana Youth Voice është tashmë një forum i rëndësishëm dhe i nevojshëm për të vënë në pah sukseset dhe përpjekjet e të rinjve për të ngjyrosur qytetin tonë me ëndrra e dëshira, përpjekje e ide, projekte e realitete.
Përpara të rinjve ka sigurisht sfida të cilat kanë nevojë të adresohen përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me Bashkinë Tiranë, e cila ka për detyrë të mbajë gjithmonë sytë dhe veshët hapur. Të rinjtë kanë një aftësi e mundësi të jashtëzakonshme; ata janë të aftë të identifikojnë problemet në komunitetin e shoqërinë ku jetojnë dhe përmes potencialit të tyre të udhëheqin proceset e ndryshimit, pasi të rinjtë kanë mendje kreative të fokusuara tek e tashmja dhe e ardhmja.
Mezi pres të shoh të rinjtë e Tiranës të japin kontributin e tyre përgjatë vitit 2022, kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë, dhe jam absolutisht e sigurt se së bashku do të projektojmë më të mirën për qytetin tonë e veçanërisht për të rinjtë tanë.
Anisa Ruseti Nёnkryetare e Bashkisё Tiranё