Botuar në revistën ‘Tirana Youth Voice’
U ktheva mbi tokën nënë këtë mëngjes dhe vendosa ta shëtis, që me flladin e freskët të fëmijërisë të luaja pas kaq kohe këtë agim. Udhëtova e lumtur, e zhytur në kllapi, e rrethuar nga adrenalina që përcillte rruga plot nostalgji. Mirëpo në shëtitoren dikur të gjelbër, në momentin kur mbërrita nuk gjeta më aq argetim. Pemët ishin tharë dhe toka me vesë, që njëherë shëndërriste nën vëzhgimin e lehtë të diellit, ishte zhytur thellë në baltën e njeriut. Vështrova me trishtim se si i ndotur dhe i pajetë shtrihej parku i nostalgjisë, parku i fëmijërisë përpara syve të mi. Ndaj me dhimbshuri e me lot ndër sy bëra të kthehesha përsëri për në të ashtëquajturën shtëpi, por rruga e kthimit ma hapi më tej plagën në shpirt.
Në këtë rrugëtim pashë çdo gjë që më parë entuziasmi e mbase dhe përhumbja e momentit nuk më la të dalloja. Rrugët, dikur të çiltra, me fëmijë e të rritur që njëherë në to vraponin, flisnin, luanin a bisedonin, sot ishin zhytur në një tym të zymtë e pajetë që çdo makinë e shpejtë linte si bisht të sajin. Tutje (jo shumë larg) dëgjova një vogëlushe e cila kollitej dhe një nënë e cila pranë i qëndronte me sy të përlotur e të shqetësuar.
Më pas përpara mu kanos një rrugicë tepër e njohur, në fund të së cilës fshihej një ndër xhevahirët e kohërave të shkuara. Në oborrin madhështor të shtëpisë së gjëlber të zonjës Minevra, nje plakusheje zemërëmbël e cila na lejonte shpesh herë të këpusnim trëndafilat a manushaqet që aty lulzonin për të mirëpritur ardhjen e çdo pranvere, qenë skalitur në memorien time plot kujtime të bukura.U gëzova kur në një moment pashë një vegim, sërish rrugët e shtruara me kalldrëm dhe gardhet e lyera me ngjyrat të çelta, trotuaret e vizatuara me shkumësa plot ngjyra, në të cilin femijët me zell ‘hop’ kapërcenin. Megjithatë kjo rrugicë dukej boshe, e errët dhe e zymtë, në dy anët e saj lartsoheshin dy qiellgërvishtëse të hirta si tym. Po në atë tym mistik u përhumba edhe unë teksa pashë të rrafshuar çdo grimcë të së shkuarës sime të lumtur. Për një moment e shokuar ndalova, së bashku me kohën dhe orën. Vështrova gjarprin e hirtë teksa vallëzonte duke më përqeshur, duke marrë forma të çuditshme, duke u kthyer në krijesa të shëmtuara, demoniake mu përpara këmbëve të mija.
Si në një greminë përsëri në realitet rashë, koha vazhdoi të ecte, ndërtesat mbetën statike në prehje, por kollitjet e vogëlushes vazhdonin, kumbonin në veshët e mi duke zëvendësuar sinfoninë e lumtur të zogjve që përshkoi para pak çastesh imagjinaten time. Me hapa të nxituar u përpoqa largohesha nga kjo marrëzi.
Dhe unë si gjithkush isha në dijeni të pasojave që zhvillimi i njerëzimit kishte lënë mbi tok po gjithçka mori tjetër kuptim kur në ato momente u shpalos përpara syve te mi duke thyer në mijëra copa kujtimet e mia më të vyera. Toka ime, mëma ime ishte groposur thellë nën asfaltin e rëndë e të zi. Shpirti i saj prehej në dhimbje, ashtu si i imi lëngonte për ditet kur ajo më falte dritë.
Mëngjesi që e ndoqi pas atë ditë të zezë, nuk është më i njëjtë në këtë qytet të vdekur. Çdo gjë ka ndryshuar, është transformuar, është deformuar. Dhe nëse më parë nëna natyrë vallzonte si një zanë e re, elegante duke shpërndarë gëzim e lulëzim kudo tashmë ajo prehej nën petkën e një plake, jo, më tepër se aq, ajo ishte një kufomë e rreckosur, e djegur, e sakatosur. Ditë pas ditë, ndjeva zemrën e tokës teksa dridhej, copëtohej nën këmbët e mia. U bë e qartë se bijtë e saj, bimë e kafshë nuk jetonin në të njëjtën shtëpi me atë të njeriut. Kudo hidhja sytë, përvidhej një statujë e re. Asgjë më nuk merrte frymë, asgjë më nuk jetonte, gjithçka vetëm ekzistonte.
Një krimi të tillë nuk mund t’i vesh kurrsesi çmim. Të përdhosesh e të shtypësh pa nder, dheun e të parëve tanë. Si mundet njeriu t’ia vjedh vetes një mrekulli të tillë? Si mundet njeriu t’a vras me duart e veta bekimin që i fali Nena Natyrë? Çdo gjë duhet të përfundoj dhe vetë unë do te jem ndryshimi që dëshiroj që të shoh në botën time…
Iris Nuri
Gjimnazi “PARTIZANI”