Botuar në revistën ‘Tirana Youth Voice’
Si një adoleshente dua të ndalem në një pikë që është shumë e prekshme në ditët e sotme, në atë që ne e quajmë tolerancë. Por sa tolerantë jemi ne? Shpesh dëgjojmë për incidente të vogla ndërmjet nxënësve në shkollë. A nuk është kjo një mungesë tolerance? Shoqëria jonë, shkolla, ambjenti përreth është plot me diversitet dhe kjo është bukuria pasi nëse nuk do të kishte diversitet nuk do të dallonim të bukurën, vlerën, gabimin, konkurencën, sfidën, dështimin, fitoren e shumë gjëra të tjera. Diversiteti është një tablo unike plot forma, ngjyra dhe jetë. Janë pikërisht këto forma dhe ngjyra që ndërthuren së bashku në mënyrën më përfekte dhe ndërtojnë një shoqëri. Çdo ngjyrë është e veçantë dhe i jep tablosë dritë e shkëlqim. Por kur këto ngjyra shkrihen bashkë japin ngjyra unike, japin më të bukurën ashtu si në shoqërinë tonë. Nëse ne do të dimë të bashkëveprojmë me njëri – tjetrin do të krijojmë një shoqëri më të shëndetshme e pa probleme. Prandaj tolerancë do të thotë të tregosh respekt për këdo në shkollë, rrugë, shtëpi a shoqëri, të mos gjykosh nga ngjyra e lëkurës, gjinia, prejardhja, kombësia, kultura etj. Çdokush nga ne ndryshon nga njëri – tjetri prandaj duhet të mësohemi të pranojmë dhe lejojmë mendime e qëndrime që nuk janë të njëjta me ne. A të ka ndodhur të ndryshosh shkollë e shoqëri? Sa i lumtur je ndjerë kur të kanë pranuar në gjirin e tyre ashtu si je. Ata të gjithë hapën krahët dhe përqafuan diversitetin sepse çdokush nga ne është një vlerë. Toleranca luan një rol të rëndësishëm për të vendosur paqen dhe mirëkuptimin midis nesh. Jeta jonë është e mbushur plot ëndrra, sfida dhe dëshira për të jetuar në harmoni, për të festuar së bashku arritjet, për t’i dhënë liri mendimit dhe për t’i arritur të gjitha këto ne duhet të mësojmë si të jemi tolerantë, si të bashkëveprojmë me njëri – tjetrin, si të pranojmë rreth nesh pa paragjykim çdo individ sepse çdo shoqëri ndërtohet mbi ne. Ne të gjithë po krijojmë një tablo tonën ndaj duhet të japim më të mirën për ta bërë atë më të bukurën, më të veçantën, më uniken që mund të jetë krijuar ndonjëherë. Të krijojmë tablon më të mrekullueshme që të jetë model frymëzimi për çdo tablo më pas.
Magdalena Jaku
Shkolla “Ardian Klosi”