Botuar në revistën ‘Tirana Youth Voice’
Shtator. Zilja për fillimin e vitit të ri shkollor sapo ka rënë. Me çantën hedhur në krahë, po hyj në shkollë me një entuziazëm të papërmbajtshëm të cilin maska e zezë që më mbulon pak a shumë tërë fytyrën përpiqet ta fshehë, por që fare mirë arrij ta reflektoj me sy tek çdokush që përshëndes.
Është një entuziazëm krejt i veçantë ndoshta i paprovuar më parë i përzier me një esencë të fortë nevoje. Jam ulur edhe herë të tjera në këto banga të drunjta me këmbë hekuri dhe gjithmonë gëzoj si një fëmijë, sepse çdo herë për mua ngelet e para. Dhe unë kam ngelur përjetë një Piter Pan në zemër, andaj i shpreh aq shumë ndjenjat dhe emocionet, aq sa ndonjeherë më quajnë të marrë.
Nuk më shqetëson ky fakt mendoj se të jesh i marrë ka benefitet e veta (por kjo është një temë tjetër). Ku e lamë? Aaa po tek entuziazmi im. Këtë vit është krejt ndryshe, pasi është edhe më e madhe dëshira për t’u riulur në bangat e dijes dhe për të thithur dije me flegrat e mendjes. I ngjason më tepër një nevoje.
Mos t’ju ngjajë klishe. Vërtet e ndjej. Dhe akoma më shumë ndjej edhe nevojën për të thyer barrierat e distancimit social. 6 muaj pa takuar miqtë të ngjan me përjetësinë. 6 muaj bashkëjetesë me një (ar)mik të padukshëm janë sfidë fizike dhe psikologjike. Dhe sfidat nuk kanë të sosur, sepse ja tani, pikërisht në këto momente do na duhet që ti përshtatemi një realiteti të ri me maska, doreza dhe dezinfektues dhe dërrasën e zezë të mbushur me fjalë dhe formula përpara. Tingëllon më pak klishe tani? Por fundja ne përshtatemi, sepse këtë kemi në dorë si përgjigjje për të plotësuar nevojat tona.
Dhe gjithë shoqëria me dëshirë apo pa dëshirë po pranon ftesën për t’ju përshtatur stereotipave të reja vetëm e vetëm që në fund të ditës nevojat e tyre të jenë të mirëplotesuara dhe shumica e individëve të gëzojnë shëndet të plotë.
Këtë po bëjmë edhe ne tani këtu në shkollë ulur në karriget e drunjta (që besoj pa frikë se e kanë mbushur dekadën). Po i përshtatemi një realiteti të ri vetëm e vetëm që nevojat tona për arsim dhe socializim në fund të ditës të jenë të plotësuara, por mbi të gjitha të vijojmë të ruajmë shëndetin, si një prej gjërave më të rëndësishme që kemi dhe që qëndron gjithmonë në plan të parë.
Shkolla në kohërat në të cilat po jetojmë, kohën e virusit Covid-19, mund të jetë makth më vete për disa nxënës apo studentë. Të mbajturit e maskës gjatë gjithë kohës, respektimi i protokolleve tepër strikte dhe distancimi fizik janë të barasvlefshme me një torturë psiko-emocionale te këta fëmijë. Ata kanë një rrezikshmëri më të lartë për të përjetuar çregullime ankthi apo stresi. Ndërkohë për të tjerë, gjithë ky “realitet i ri” ngelet po e njëjta rutinë e zakonshme, hyjnë-dalin nga shkolla dhe maska me dezinfektantët nuk përbejnë shqetësim për ta, pasi janë thjesht disa veprime më shumë, thjesht disa minuta më shumë. Personalisht unë bëj pjesë tek të dyja grupet (mos më quani të marrë).
Dita sot filloi me hyrjen në shkollë, sipas direktivave të shënuara në oborr, dezinfektimin e këpucëve, duarve, mbajtjes së distancës fizike (jo asaj sociale) dhe realisht fillova të perjetoja një gjendje të lehtë ankthi pas gjithë këtyre veprimeve. Kur u ula ne bangë fillova të merrja frymë thellë dhe pasi mësuesja hyri në klasë, filloi të fliste dhe përshendeti u ndjeva më e çliruar. Fundja gjërat nuk janë dhe aq keq. Mund të mbështetesh gjithmonë tek dituria pa ngurrim e pa frikë. Të diturit të jep siguri.
A e dini? Më kishte munguar vërtetë dërrasa e zezë e mbushur me skema, fjalë dhe formula. Më kishte munguar aroma e bojës së stilolapsit si dhe të shkruaja në fletët e trasha të bllokut (unë gjithmonë shkruaj shumë). Dhe për më tepër më kishin munguar zërat dhe fytyrat e mësuesve të mi. Kjo më bëri të kuptoj se shkolla në kohën e Covid-19 nuk është një sfidë e pamundur. Shkolla në kohën e Covid-19 është një realitet i ri i mundur.
Zilja për fillimin e shkollës ra përsëri. Është një ditë e re tashmë…
Ema Meçaj
Gjimnazi: “Sami Frashëri”